Lajme Shqip Thursday, 15 November 2012 12:29

Pekin – Ksi Xhinping është njeriu që do të drejtojë Kinën për 10 vitet e ardhshme dhe që në momentin e konfirmimit foli për sfidat e mëdha me të cilat përballet Partia Komuniste dhe korrupsionin që duhet frenuar.

Ksi kryesoi Komitetin e Politbyrosë në podiumin e Hollit të Madh të Popullit në Pekin, çka sinjalizon ngritjen e tij në majë. Liderët e rinj, tha ai, duhet të punojnë shumë në mënyrë që të përmbushin pritshmëritë e popullit të vet dhe ato të historisë. 

Ksi Xhinping zëvendëson në krye të shtetit kinez Hu Jintao-n, nën drejtimin e të cilit vendi ka pasur një dekadë rritjeje të jashtëzakonshme ekonomike. Lëvizja shënon kalimin zyrtar të pushtetit nga një brez tek tjetri.

Më herët, Xhintao dha dorëheqjen duke i hapur rrugën zëvendëspresidentit Xhingping për të marrë postin më të lartë drejtues të Kinës. Në podium, në krah të tij ishte edhe Li Keqiang, njeriu që do të zërë vendin e kryeministrit Ven Xhiabao, si dhe 5 politikanë të tjerë. Kjo do të thotë se organizata më e fuqishme vendimmarrëse, Komiteti Politbyro, është reduktuar nga 9 anëtarë në 7.

Anëtarët e Komitetit caktohen nga grupi i të moshuarve të partisë përmes një procesi të fshehtë. Liderët e rinj do ta marrin gradualisht pushtetin muajt e ardhshëm. Zyrtarisht, presidenca e Hu Xhintao-s mbyllet në sesionin e përvitshëm parlamentar marsin e 2013-tës. (LajmeShqip.com)