Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 08:48

Ankara – Shefi i Shtatmadhorisë së forcave të armatosura turke, gjenerali Jashëk Koshaner dhe komandantët e forcave tokësore, ushtarako-detare dhe ajrore dhanë dorëheqje, kumtoi kanali televiziv turk NTV.

Televizioni saktësoi se kjo ndodh mu para mbledhjes së Këshillit të lartë ushtarak, që fillon të hënën, dhe paraqet krizën më të madhe në historinë e forcave të armatosura turke.

Dorëheqjet ndodhin si jehonë ndaj dallimeve ndërmjet kryesisë ushtarake dhe qeverisë për rritjen e numrit të gjeneralëve të cilët ndodhen në burg për shkak të dyshimeve se kanë marrë pjesë në komplote për grusht-shtet, theksojnë agjencitë, duke iu referuar televizioneve turke.

Gjatë ditëve të fundit u mbajtën disa takime ndërmjet shefit të Shtatmadhorisë, gjenralit Koshaner dhe kryeminsitrit Erdogan, para mbledhjes së Këshillit të lartë ushtarak, që fillon më 1 gusht, ku duhet të sillen vendime për emërime dhe avancime të reja në armatë dhe për mënjanimin e personave ushtarak për shkak të arsyeve disciplonore.

Njëkohësisht, partia në pushtet e Zhvillimit dhe e Drejtësisë, përkujtoi se nuk do të dakordohet me avancimin e personave ushtarak, të cilët janë të dyshimtë për pjesëmarrje në komplote kundër qeverisë.

Gjenerali Koshaner dorëheqjen e tij ia dorëzoi kryeministrit Rexhep Taip Erdogan.

Për momentin nuk është bërë e ditur se çfarë pozicioni do të marrë qeveria pas këtyre dorëheqjeve.

komandantët e forcave tokësore, ushtarako-detare dhe ajrore, gjithashtu i kumtuan dorëheqjet e tyre.

NTV thekson se në situatën e tanishme, gjenerali koshaner nuk do të marrë pjesë në punën e Këshillit të lartë ushtarak.

Shtatëmbëdhjetë gjeneralë dhe admiralë, të cilëve u paraprin avancimi, ndodhen në burg për shkak të akuzave për pjesëmarrje në komplotin e supozuar për grusht-shtet në vitin 2003, i njohur si operacioni “Çekani”.

Sipas aktit të prokurorisë, operacioni “Çekani” ka paraparë zbatimin e një serie atentatesh, me qëllim të krijimit të atmosferës së kaosit, e cila është e pështatshme për grusht-shtet.

Të akuzuarit pohojnë se operacioni “Çekani” ka qenë vetëm stërvitje ushtarake, e prezantuar gjatë një seminari ushtarak.