Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 08:10

Beograd – Kryeprokurori për Krime lufte i Kombeve të Bashkuara, Serzh Bramerc, arriti për vizitë në Beograd të marten në mbrëmje.

Ai për mediat serbe deklaroi se do ta shtyjë sërish Beogradin të shpjegojë se si të dyshuarit e fundit të gjykatës kanë mundur të jenë në arrati për një kohë aq të gjatë.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, u arrestua përfundimisht më 26 maj pas 16 viteve në arrati, ndërsa dy muaj më vonë autoritetet arrestuan dhe transferuan liderin e serbëve në Kroaci, Goran Haxhiç.

“Siç e kemi theksuar gjithmonë, natyrisht se kemi kërkuar informatat për rrejtin mbështetës të Mladiçit dhe Haxhiçit. Tani, ne duam të dimë se si ka qenë e mundur që ata t’i shmangen drejtësisë për një kohë aq të gjatë”, deklaroi Bramerc.  

Kryeprokurori i Tribunalit për krime lufte në ish-Jugosllavi këto komente i bëri në një intervistë për të përditshmën serbe, Veçernje Novosti.

Bramerc pritet të arrijë gjatë ditës në Beograd për një vizitë dyditore, gjatë të cilës ai planifikon ta hartojë raportin për Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi bashkëpunimin e Serbisë me tribunalin.

Derisa autoritetet serbe ishin zotuar se do të dëshmojnë vendndodhjen e ish-të arratisurve gjatë kohës kur ata po i iknin drejtësisë, Beogradi ka theksuar gjithashtu se arrestimi i tyre është çështje e brendshme.

“Se përse nuk është gjetur Mlladiçi gjatë gjithë këtyre viteve është pjesa qendrore e një hetimi të brendshëm”, i tha televizionit B92, ministri serb, Rasim Lajiç, i cili kryeson këshillin e shtetit për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës.
   
“Ne do t’i tregojmë Bramercit se çfarë dimë për momentin dhe se po vazhdon hetimi. Nuk ka nevojë që Bashkësia Ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë”, tha Lajiç.

Shërbimet inteligjente, sipas tij, kanë një pasqyrë të qartë për vendin ku fshihej Mlladiq gjatë vitit 2006 kur, siç thuhet, papritmas humbën çdo lloj gjurme që çonte tek ai.

Gjatë qëndrimit në shtetin serb, Bramerc pritet të takojë Lajiçin, presidentin, Bors Tadiq, dhe prokurorin për krime lufte, Vlladimit Vuksheviq sikurse edhe përfaqësues të mekanizmave të sigurisë