Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 13:00

Marsejë – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski sot në Marsej do të marrë pjesë në takimin e shefave të shteteve dhe qeverive të cilat vijnë nga partitë-anëtare të Partisë Evropiane Popullore, në kuadër të kongresit të 20-të të EPP-së, njofton korrespondenti i MIA-s.

Sipas axhendës, kryeministri dhe lider i VMRO-DPMNE-së është paraparë të takohet edhe me disa homologë të cilët vijnë nga partitë anëtare të krahut më të madh djathtist.

Partia Popullore Evropiane në përbërjen e saj ka 74 parti-anëtare nga 39 vende, midis të cilave edhe VMRO-DPMNE-ja. PPE-ja me 288 deputetë është grupacioni më i fuqishëm politik në Parlamentin Evropian.

Ndikimi i Partisë Popullore Evropiane është vendosëse në shumë nivele, duke i përfshirë funksionet udhëheqëse të tre institucioneve më të rëndësishme evropiane Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Në kongresin në Marsej është paralajmëruar prezenca e rreth 1.000 delegatëve nga 39 vende. Pritet prezenca e presidentit francez Nikolla Sarkozi, kancelares gjermane Angela Merkel, kryeministrit hungarez Viktor Orban, ish-kryeministrit italian Silvio Berluskoni dhe emra tejet të njohur nga skena politike evropiane.

Nesër në Hagë pritet kryeministri të marrë pjesë në biznes forumin e Maqedonisë dhe Holandës në të cilin paralajmërohet prezenca e ekonomistëve të Holandës të cilët janë interesuar për të investuar në Republikën e Maqedonisë.

Paraprakisht, forum i një lloji të këtillë u mbajt edhe në Mbretërinë e Belgjikës. Delegacionin qeveritar në Bruksel e kryesoi Gruevski, ndërsa në të ishin edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i obliguar për Çështje Ekonomike, Vlladimir Peshevski, Vele Samak, ministri për tërheqjen e investimeve të huaja dhe Viktor Mizo, drejtori i Drejtorisë së Zonave zhvillimore tekonologjiko-industriale.

Në kryeqendrën belge kryeministri Gruevski dje u takua edhe me kryetarin e Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuj.