Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 18:24

Zagreb- Gjykata në Zagreb e konfirmoi sot akuzën e dytë kundër ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader, e cila ka të bëjë me marrje të ryshfetit prej 10 milionë eurove nga kompania hungareze e naftës MOLL për marrjen e pakos kontrolluese të aksioneve në kompaninë kroate INA.

Shërbimi kroat për luftë me korrupsionin dhe krimin e organizuar kërkoi në seancë të mbyllur të gjykatës që ky proces të jetë së bashku me aferën me bankën austriake Hipo Alpe Adria, e cila udhëhiqet për momentin kundër Sanaderit.

Prokurorët propozojnë që nëse Sanderi shpallet fajtor, t’i kthejë shtetit 10 milionë euro. Për këtë rast ka pasur hetim për ish-zëvendëskryeministrin Damir Pollançec, por ai u ndërpre.

Sanader është akuzuar se ka marrë mjete joligjore nga banka austriake gjatë luftës në Kroaci (1991-1995), derisa ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Sipas aktakuzës, banka austriake “Hipo Alpe Adria” i ka dhënë rryshfet me vlerë prej 480.000 euro Sanaderit gjatë negociatave për kredi, të parashtruar nga banka për Qeverinë kroate.

Sanader është lëndë e katër hetimeve për korrupsion. Një ka të bëjë me financimin ilegal të partisë në pushtet HDZ, që sipas mediave në Zagreb është së paku katër milionë euro.