Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 09:00

Zagreb – Koalicioni i majtë Kukuriku shënoi fitore të bindshme në zgjedhjet parlamentare në Kroaci me 77 ulëse në parlament, derisa partia në pushtet HDZ ka fituar gjithsej 48 mandate.

Kryeministër i ardhshëm i Kroacisë do të jetë Zoran Milanovic, kryetar i partisë Socialdemokrate, krahas së cilës koalicionin e përbëjnë edhe Partia popullore kroate, Sabori demokratik i Istrës dhe Partia kroate e pensionistëve.

Kryeministri i sapozgjedhur porositi se koalicioni Kukuriku menjëherë pas marrjes së pushtetit do të ndalojë me shumë tradita politike kroate, që do të thotë se do të funksionojë në tërësi dhe në mënyrë transparente dhe vetëm në interes të qytetarëve.

“Arritëm që rreth programit tonë dhe rreth nesh si njerëz të grumbullojmë një numër të madh të qytetarëve, por puna tek po fillon. Mbështetja është e madhe, por nuk është absolute, pasi që shumë nuk votuan për ne. Kjo nuk na obligon, por na paralajmëron se jetojmë në një shoqëri në të cilën drejt të gjithëve kemi obligim”, theksoi Milanovic para simpatizuesve të vet në Shtabin zgjedhor të koalicionit.

Presidenti kroat Ivo Josipovic ia uroi fitoren koalicionit Kukuriku duke shprehur pritje se me qeverinë e re do të bashkëpunojë më mirë se me administratën e kryeministres në largim Jadranka Kosor.

“Pres që qeveria që nga dita e parë do të niset në zgjidhjen e problemeve. Dëgjuam se opozita do të jetë e fuqishme dhe kjo është pjesë e standardeve demokratike”, theksoi shefi i shtetit.

Kryeministrja e deritanishme dhe lidere e HDZ-së Jadranka Kosor paralajmëroi se kjo parti do të jetë konstruktive, por opozitë e ashpër.