Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 18:41

Shkup – Dështimi i takimit të fundit të liderëve i cili u organizua nga kryetari i shtetit Gjorgji Ivanov, si duket ka motivuar edhe më shumë liderët e dy partive partner të koalicionit VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski dhe atë të BDI-së Ali Ahmeti që të organizojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe nëse ato do t’i bojkotojë opozita. Gjykuar në bazë të deklaratave të krerëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, Nikola Gruevski dhe Ali Ahmeti, tashmë kthim prapa nuk ka, dhe nuk mund të pritet që të organizohet edhe ndonjë takim tjetër i liderëve për ta tejkaluar këtë krizë politike, por pa shumë kalkulime këto dy parti do ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Burime partiake në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) thonë se Parlamenti, sipas të gjitha gjasave, do të shpërbëhet më 31 mars ose 10 prill.

Partia e Re Social Demokrate e Maqedonisë (PRSD), si pjesë e bllokut opozitar maqedonas tha se kërkesat e tyre janë legjitime. “Kërkesat tona janë legjitime. TV A1 të veçohet nga firmat tjera të të ashtuquajturit proces gjyqësor ‘Pero Nakov’, dhe të lejohet funksionim normal i saj”, tha Goran Micovski deputet i PRSD-së.

Partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE, paralajmëroi se edhe përskaj asaj që nuk ka ndonjë marrëveshje me partitë opozitare ato do t’i inkorporojnë në legjislativë të gjitha kërkesat opozitare të pranuara deri më tani, në përjashtim të kërkesës që ka të bëjë me zhbllokimin e xhirollogarive të Televizionit A1 dhe gazetave “Koha e Re”, “Shpic” dhe “Vreme”.

“VMRO DPMNE dëshiron të theksojë para opinionit se do t’i përfshijë në ligje të gjitha kërkesat që kanë dalë si rezultat i takimeve dhe bisedimeve me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM). Në Kodin Zgjedhor procedura tani më është në Parlament në Komisionin për sistem politik ndërsa ato çështje të cilat për shkak të rregullores së parlamentit nuk mundet të përfshihen që sot në ligje do të përfshihen ditëve në vijim me ndryshime plotësuese në Kodin Zgjedhor apo në ligjet që kanë nevojë të pësojnë ndryshime”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së. Ai theksoi se të gjitha 40 kërkesat që i ka pranuar partia e tij gjatë dy javëve të kaluara në bisedimet me LSDM-në do ti përfshimë në Kodin Zgjedhor me përjashtim të dy çështjeve të pranuara me kusht që do të pranohen vetëm nëse LSDM-ja kthehet në institucione. Sipas tij, VMRO DPMNE-ja ka pranuar që në Maqedoni menjëherë pas zgjedhjeve të fillojë debati publik në të cilin rol dominues do të kenë pikërisht mediat, debat që do të rezultonte me sjelljen e ligjit për shpërndarje të barabartë të mjeteve për mediat.

Ndërsa dy partitë opozitare që morën pjesë të takimet te presidenti Ivanov janë ndarë të pakënaqura pasi kanë lëshuar demonstrativisht takimin. LSDM-ja mbetet me qëndrim për bojkotim të zgjedhjeve. Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski tha se qëllimi i partive në pushtet është të organizojnë zgjedhje pa opozitën. Nga Demokracia e Re pohojnë se akoma nuk e kanë shqyrtuar idenë e bojkotit, por se organet e partisë në mënyrë plotësuese do të sjellin vendim. “Ne në DR akoma nuk e kemi biseduar mënyrën e bojkotit, por se për këtë do të sjellin vendim organet e partisë. M vetë faktin që qeveria aktuale dëshiron të organizon zgjedhje pa përfillë kërkesat e opozitës është një sjellje pa presedan, e cila për herë të parë po i ndodhë Maqedonisë në këto 20 vite . Ky veprim i kësaj garniture qeveritare është shumë jo serioz, jo i matur dhe i përshpejtuar”, tha Arjanit Hoxha, zëdhënës i DR-së. Por lideri i kësaj partie Selmani, pas takimit të liderëve tha se për të tejkaluar gjendjen e krijuar politike, duhet të ndërhyjnë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni.

Ndërkaq, Rufi Osmani i cili ka paralajmëruar se së shpejti do të formojë partinë e tij, ka thënë se të gjitha vendimet rreth zgjedhjeve të parakohshme do t’i marrin pasi të bëhet promovimi i partisë. Ditë më parë, kryeministri Nikola Gruevski paralajmëroi se më 25 mars mund të shpërbëhet Parlamenti dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Nëse në këtë afat shpërbëhet Parlamenti, atëherë, në bazë të Kushtetutës, presidenti i shtetit duhet të shpall zgjedhjet brenda 30 ditësh.