Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 17:43

Shkup – Kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani, u ka dërguar të premten letër ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në vend, z. Reeker dhe z. Sorensen, që të kyçen si ndërmjetësues në rikthimin e dialogut thelbësor politik dhe për dalje nga kriza politike në vend.

“Niveli i ulët i përgjegjësisë së kësaj Qeverie ndaj qytetarëve të vet dhe komunitetit ndërkombëtar për t’i zgjidhur problemet solli një situatë të rënduar politike, ekonomike dhe sociale që po krijon pakënaqësi dhe revoltë gjithnjë e ma të tensionuar në vend. Sot, më shumë se asnjëherë më parë kemi devijim nga diskursi i integrimeve euroatlantike dhe politikës së mirëqenies së qytetarëve në vendin tonë. Kjo politikë e papërgjegjshme e Qeverisë po e izolon vendin dhe qytetarët e saj gjithnjë e më shumë humbin shpresat për një perspektivë të sigurt në këtë vend”, thuhet në letrën e Selmanit.

Më tej thuhet në letër se “Demokracia e Re, në kohë të duhur ka reaguar në të gjitha veprimet dhe projektet e gabueshme të kësaj Qeverie, por gjithnjë keqkuptohej bile edhe me interpretime tendencioze nga pozicioni qeverisës. Atëherë dhe sot e kemi ditur se projektet dhe vendimet me emblemë mono-etnike dhe etno-religjioze maqedonase krijojnë tensione ndëretnike dhe ndërfetare, sidomos në relacionet shqiptaro-maqedonase.

Ky nacional-romantizëm i theksuar me populizëm të Qeverisë së Gruevskit dhe me asistencë pasive të BDI-së si partner shqiptar u shndërrua në aventurë për ta vendosur historinë në skulptura dhe muze me shumë para në vend, nga njëra anë shumë të varfër, dhe nga ana tjetër multietnik. Për pak kohë incidenti në Kala të Shkupit përdëftoi se sa e rrezikshme është loja, qoftë edhe skenar i Qeverisë, me ndjenjat fetare dhe etnike të qytetarëve të vendit tonë”, shtohet në letër.

Selmani po ashtu ka informuar ambasadorët se në takimet e liderëve të partive më të mëdha me ftesë të Presidentit të shtetit, Ivanov, edhe pse në shikim të parë u krijua një bindje se do të tejkalohen mosmarrëveshjet rreth krijimit të parakushteve ligjore për zgjedhje fer dhe demokratike, kjo megjithatë nuk ndodhi. (Lajmeshqip.com)