Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 13:40

Bruksel-Presidenti i Këshillit Europian kundërshton planin franko-gjerman të propozuar të hënën nga presidenti francez Nikola Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, për të ndryshuar traktaktet e unionit. Siç raporton BBC, presidenti i BE-së Herman Van Rompuy është i mendimit se shtrëngimi i rregullave për të përballuar krizën e borxheve në eurozonë mund të arrihet pa ndryshuar traktatet europiane.

Në një raport për samitin e liderëve të BE-së që nis të enjten, që BBC ka mundur ta shqyrtojë, Van Rompuy ofron një mënyrë më të shkurtër për të siguruar këto rregulla të reja pa qënë nevoja për ratifikime nga parlamentet e vendeve anëtare apo referendume kombëtare.

Gjermania dhe Franca po kërkojnë një traktat të ri të BE-së Brenda marsit duke thënë se rregullat e reja duhet të përfshihen në këtë document. Edhe SHBA-të i kanë mbështetur planet e tyre. Megjithëse sekretari amerikan i thesarit Timothy Geithner deklaroi sot se Rezerva Federale Amerikane nuk ka ndërmend ti japë para FMN-së për të rritur fondin e shpëtimit të eurozonës.

Van Rompuy do të drejtojë samitin 2 ditor të liderëve të BE-së në Bruksel dhe sipas analistëve qëndrimi i tij pritet të sjellë polemika gjatë takimit. Drafti I tij thotë se reformat e ashpra fiskale mund të adoptohen thjesht duke amenduar protokollin, një procedurë që kërkon konsensus kombëtar por që nuk kërkon ndryshime thelbësore në traktatet e BE-së. Kjo gjë sipas tij, do të përshpejtonte implementimin e reformave ndërsa do të evitonte komplikime të mundshme politike.

Disa prej propozimeve të tij përkojnë me planin franko-gjerman për të përballuar krizën por disa jo. Parisi dhe Berlini duket se janë gati për masa më radikale, dhe nëse 27 vendet anëtare nuk bien dakord, ato janë përgatitur që traktati I ri të përfshijë vetëm eurozonën apo dhe ndonjë vend tjetër që do të bashkohet. Por një lëvizje e tillë do ta linte Britaninë, një anëtare e BE-së por jo e eurozonës më të të izoluar. (LajmeShqip.com)