Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 09:30

Athinë  – Bëhet fjalë për një marrëveshje mbi reformat që duhen aplikuar në këmbim të lëshimit të këstit të ri të ndihmës prej 31,5 miliardë eurosh.

“Grupi i Komisionit Evropian, BQE-së dhe FMN-së ka përfunduar misionin në Greqi për të diskutuar me autoritetet lokale mbi masat e duhura për të finalizuar programin e riparimit ekonomik të vendit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar në mbrëmje nga zyra e KE-së.

Sipas Komisionit, bisedimet kanë qenë “të frytshme” dhe autoritetet helene me Trojkën kanë rënë dakord për masat kryesore për t’i hapur rrugën pjesës përfundimtare të testit.

Më herët kryeministri grek, Andonis Samaras u shpreh optimist rreth dhënies së këstit të radhës së ndihmës nga ana e ndërkombëtarëve për Greqinë.

“Greqia do të ketë shumë shpejt këstin e radhës për të paguar borxhet e saj, për të rikapitalizuar bankat dhe për të rikthyer qarkullimin e parave në treg”, tha Samaras.

Deklaratën në fjalë kreu i qeverisë helene e bëri mbrëmjen e së hënës në kongresin e organizuar nga “International Herald Tribune” në Athinë.

“Atëherë do të marrë fund frika e kthimit te dhrahmia. Për herë të parë në Greqi ekziston një konsensus i fortë popullor që mbështet reformat strukturale”, shtoi kryeministri. (LajmeShqip.com)