Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 12:30

Bruksel-Ministrat e Financave të Eurozonës kanë arritur marrëveshje për të ndihmuar Greqinë nga falimentimi, me një paketë në vlerë prej 130 miliardë eurosh. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i euro-grupit, Zhan Klod Junker.

“Pas një takimi prej të paktën 13 ose 14 orësh, kemi arritur një marrëveshje për programin e ri të Greqisë, me përfshirjen edhe të sektorit privat, që do të çojë në një reduktim të rëndësishëm të borxhit për Greqinë”, ka thënë Junker.

Sipas njoftimeve, marrëveshja ka për qëllim të sjellë borxhin e Greqisë në 120.5 për qind të bruto prodhimit vendor deri në vitin 2020.

Diplomatët në Bruksel kanë thënë se duhet punuar ende për detajet e marrëveshjes, pas një maratonë negociatash.

Greqia ka nevojë të jashtëzakonshme për paketën e ndihmës për të shpëtuar nga falimentimi që do të mund të pësonte muajin e ardhshëm.

Masat e miratuara kanë shkaktuar pakënaqësi të thella në Greqi, që kanë rezultuar edhe me protesta të dhunshme. (LajmeShqip.com)