Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 18:36

Athinë – Drejtori Ekzekutiv i Fondit, Andrea Taprantzis ka konfirmuar për agjencinë Bloomberg se ka ishuj të pabanuar që Greqia mund t’i japë me qira me kalimin e kohës, për një periudhë deri në 50 vjet. 

“Ne kemi gjetur vende që janë afër me kontinentin, që kanë infrastrukturën e mirëzhvilluar dhe nuk përbëjnë ndonjë kërcënim për sigurinë kombëtare”, tha Drejtori Ekzekutiv i TAIPED në një intervistë për Bloomberg, të publikuar sot.

Lista përfshin ishujt me një sipërfaqe prej 500 000 metra katrorë deri në 3 milionë metra katrore, që do jepen me qera 30-50 vjet, tha drejtori ekzekutiv i TAIPED. Qëllimi për të mbledhur 50 miliardë euro deri në vitin 2020. Fondi ka shqyrtuar 562, nga 6 000 ishuj, të cilat janë nën sovranitetin grek.

Taprantzis siguroi se “shitja e ishujve përjashtohet, sepse të ardhurat për publikun grek nuk do të ishin më të mëdha sesa ato nga marrëveshjet e qirasë”, duke shtuar se “Greqia do të tërheqë më shumë investime, nëse një ishull shfrytëzohet si një vendpushim turistik”. 

Izraeli kërkuar të blerë ishull në Greqi, për trajnim ushtarak
Deklaratat e kryeministrit grek Antonis Samaras për shitjen e mundshme të ishujve të pabanuar, kanë ngjallur interesin e Izraelit. Qeveria izraelite ka konsideruar blerjen ose marrjen me qira të disa ishujve grekë, për trajnimin e marinës izraelite. 

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta Haaretz, e cila thekson se në fund të fundit, kjo nuk është realizuar për shkak se forcat e armatosura izraelite nuk e kanë përkrahur idenë. 

Sipas gazetës, e cila citon burime ushtarake, ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak kërkoi që të merret në konsideratë kjo mundësi, pas deklaratave Antonis Samaras më 22 gusht në gazetën franceze Le Monde, se Greqia “mund të japë ishuj me qira për shfrytëzim, me qëllime komerciale”.

Në të vërtetë, as Departamenti i Përgjithshëm i personelit ushtarak izraelit dhe as marina nuk e mirëpriti idenë, duke preferuar të përqëndrohet në rritjen e bashkëpunimit të mbrojtjes me Greqinë.

Turqia, interes për investime në Greqi
Grupet turke shfaqin gjithmonë e më shumë interes për të investuar në Greqi. Në shënjestër janë portet e Greqisë, por ka edhe plane për krijimin e kazinove, të cilat ndalohen në Turqi. 

Sipas gazetës “Kathimerini”, të paktën dy klube turke janë deklaruar zyrtarisht, se presin zhvillimet në lidhje me privatizimin në Greqi.
E para, “Setur Servis touristik AS”, që kontrollon 9 porte në Turqi, ka marrë së fundmi me qira për 40 vjet portin e Mitilinit, së bashku me grupin “Folli Follie Group”. Ky grup ka vendosur të zgjerojë aktivitetet e tij në portet e Greqisë. Sipas një studimi marinarët shpenzojnë 20-30 herë më shumë, në krahasim me turistët tradicionalë. 

Një tjetër kompani turke ka dorëzuar një propozim, për të investuar komplekse turistike në ishujt grekë. Ndër projektet e përfshira në propozim është krijimi i kazinove për lojtarët turq, pasi Turqia i ka ndaluar kazinotë që në mesin e viteve ’90 për arsye fetare.

Sipas gazetës, javën e kaluar, vizitoi Greqinë një delegacion i shoqatës së agjentëve të udhëtimit në Turqi (TURSAB). Kryetari i shoqatës, B.Oulosoi, i cili kishte një takim me Ministren e Turizmit, Olga Kefalojanis tha se aktualisht kanë vizituar Greqinë 500 000 turq, prej të cilëve 80 000 bëjnë turizmin detar. 

Në rritjen e madhe të vizitorëve turq kanë kontribuar edhe lehtësirat në dhënien e vizave Shengen për turqit, falë programeve pilot zbatuar në ishujt Mitilini, Kios, Samos, Rodos dhe Kos. (LajmeShqip.com)