Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 17:30

Kriza globale ekonomike vazhdon të jetë tema qendrore e bisedimeve të liderëve botëror, derisa Greqia dhe Italia vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e vendeve të tyre nga falimentimi.

Kriza e përkeqësimit të borxheve evropiane po kërcënon një rajon të gjerë.

E ndodhur nën presionin e tregjeve të kapitaleve, Italia do të përshpejtojë zbatimin e reformave të kërkuara nga BE. Partitë në pushtet dhe në opozitë janë pajtuar që të  kalojnë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve ligjin e stabilizimit dhe plotësimet përkatëse të tij.

Ligjvënësit italianë do të diskutojnë sot lidhur me një paketë të reformave ku përfshihet edhe shitja e pasurive shtetërore. E nëse  këto reforma do të miratohen, atëherë ato do t’i kalojnë dhomës së ulët të parlamentit për të marrë miratimin përfundimtar nesër ose pasnesër.

Në seancën e sotme të senatit pritet të marrë pjesë edhe ish komisionari i BE-së, Mario Monti, i cili konsiderohet si një zëvendësim i mundshëm për kryeministrin Silvio Berluskoni. Presidenti amerikan, Barack Obama, në një bisedë telefonike i ka shprehur besimin e tij homologut  italian  Giorgio Napolitano, duke i kërkuar vendosjen e në qeverie të  përkohshme, e cila do të zbatonte  reformat agresive dhe  të rikthente besimin e tregut.

Me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë globale, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje liderëve aziatikë dhe evropianë që të bëjnë më shumë dhe të parandalojnë daljen jashtë kontrollit të krizës së borxheve në eurozonë. 
Sekretari i thesarit i Shteteve të Bashkuara, Tim Geitner, thotë se Europa duhet të dalë me një “plan të fortë” por që vendet aziatike janë në pozicionin më të mirë për të ndërmarrë hapa në përmirësimin e gjendjes.