Hollandë – Kriza ekonomike globale ka bërë që kryeministri holandez Mark Rutte t’i paraqesë dorëheqjen Mbretëreshës Beatrix, duke i hapur kështu rrugën zgjedhjeve të parakohshme në vend.
Qeveria holandeze u zhyt në krizë kur Partia e Lirisë e Geert Wilders hoqi dorë nga bisedimet për reduktimin e deficitit buxhetor, duke deklaruar se refuzon të mbështesë masat shtrënguese ekonomike në bazë të rregullave të BE-së.
Kjo parti nuk bën pjesë në koalicionin qeverisës, por mbështeste qeverinë në minorancë të Mark Rutte. Sipas Wilders, propozimet e qeverisë do të dëmtonin rritjen ekonomike dhe do ndikonin në fuqinë blerëse të popullit.
Që nga 5 marsi, dy partitë e koalicionit dhe Partia e Lirisë janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje mbi shkurtimet në buxhet, pasi Komisioni Europian i ka kërkuar Holandës të miratojë masat e reja shtrënguese brenda 30 prillit. (LajmeShqip.com)