Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 20:53

Teheran – Policët anti-protestë dhe demonstruesit u përballën në kryeqytetin e Iranit, Teheran, pasi disa ditë radhazi zhlerësimi galopant të monedhës kanë krijuar pakënaqësi të shumta në vend.

Gaz lotsjellës u përdor për të shpërndarë protestuesit, disa prej të cilëve ndezën goma makinash dhe kazanë plehrash.

Pjesëmarrës në protestë thanë për mediat ndërkombëtare se shumë të tjerë u arrestuan nga policia.

Qendra e manifestimit ishte përpara Bankës Qendrore të Iranit, ku me mijëra kërkuan dorëheqjen e guvernatorit dhe thirrën me slogane anti-qeveritare.

Monedha vendase e rialit ka humbur rreth 30% të vlerës ndaj dollarit në një javë, pasi qeveria shpalli disa masa, me synimin e mbrojtjes së monedhës, por që dhanë rezultate të kundërta.

Që prej ashpërsimit të sanksioneve si rrjedhojë e ambicieve bërthamore të Iranit një vit më parë, riali ka regjistruar një inflacion prej pothuajse 100%.

Një ditë më parë, në një përpjekje për të qetësuar pakënaqësinë popullore, Presidenti Ahmadinejad fajësoi perëndimin për inflacionin galopant, duke vlerësuar se ndaj shtetit të tij ka nisur “një luftë e vërtetë ekonomike”.

Presidenti autoritar shtoi se pavarësisht sanksioneve dhe vështirësive ekonomike, “Irani nuk do të nënshtrohet dhe do të vazhdojë të ndjekë programin bërthamor, siç ka të drejtë të bëjë çdo shtet sovran”.

Megjithatë, sipas ekspertëve, ky inflacion tregon se bllokada ekonomike imponuar për shkak të programit bërthamor të Teheranit është duke goditur ekonominë vendase edhe më fort nga sa ishte parashikuar.

Një inflacion i tillë i lartë e bën më të vështirë importin e mallrave të huaja, duke rritur çmimet për njerëzit brenda Iranit, kryesisht për ato prodhime që importohen apo lënda e parë e të cilave vjen nga jashtë.

Një vend me 75 milionë banorë, Irani nuk është i vetmjaftueshëm në prodhimin ushqimor apo farmaceutik, duke bërë që edhe çmimet për ushqimet dhe barnat të pësojnë rritje të dhimbshme për iranianët e thjeshtë. (LajmeShqip.com)