Lajme Shqip Saturday, 22 September 2012 15:10

Greqi – 517 milionë € aspiron të shpëtojë Greqia me shkurtimet drastike në fushën e Mbrojtjes, së cilës Athina i ka kushtuar vëmendje të madhe dhe shpenzime marramendëse, sidomos për shkak të raporteve të tensionuara me Turqinë.

Sipas gazetës greke Proto Thema, ministria greke e Mbrojtjes ka vendosur të mbyllë 55 reparte ushtarake, 15 qendra të rekrutëve, madje edhe të tërheqë 47 aeroplanë të tipit A7 Corsair dhe RF4, 11 luftanije, dhe 400 tanke të tipit M48 dhe M60. Zyrtarët e Mbrojtjes thonë se nga tërheqja e avionëve, anijeve dhe tankeve të vjetra, do të fitohen shuma drastike.

Me vendim të Ministrit të Mbrojtjes Panos Panajotopulos, hiqen plotësisht programet e armatimit me vlerë 104 milionë euro. Në shkurtimet operative me vlerë 80 milionë euro, përfshihen mbyllja e reparteve dhe kampeve, të cilat së bashku me pronat e Ministrisë së Mbrojtjes do të përdoren nga shteti për rritjen e të ardhurave.

Do të reduktohet gjithashtu numri i studentëve të regjistruar në shkollat e Forcave të Armatosura me 30% dhe i oficerëve, ulje që do të rezultojë në kursime të konsiderueshme për 40 vitet e ardhshme. Në paketën e kursimeve përfshihet edhe ulja e pagave të ushtarakëve dhe atyre në pension, e vendosur tashmë. Ministria thotë se shkurtimet kursejnë plot 2 miliardë euro krahasuar me buxhetin e vitit 2009.

Sipas zyrtarëve, këto shkurtime nuk prekin nivelin e lartë të aftësisë parandaluese dhe efektivitetin luftarak të forcave të armatosura greke. (LajmeShqip.com)