Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 10:59

Tokio – Agjencia japoneze për siguri formalisht e ka rritur në shkallën maksimale 7 nivelin e krizës bërthamore në centralin Daiçi në Fukushima. Niveli është i barabartë me atë në Çernobil në vitin 1986. Japonia e ka klasifikuar zyrtarisht  fatkeqësinë bërthamore të Fukushimës po aq të rëndë sa katastrofa në reaktorin e Çernobilit.

Sipas të dhënave të autoritetit për sigurinë bërthamore fatkeqësia e Fukushimës është renditur në nivelin ndërkombëtar të vlerësimit në shkallën më të lartë 7, deri tani vlente shkalla 5. Niveli më i lartë do të thotë se ndikimet ndaj ambientit dhe shëndetit të njerëzve janë në një kontekst më të gjerë. Sasia e radioaktivitetit të çliruar deri tani nga reaktorët në Fukushima është  barabartë me dhjetë për qind të sasisë së liruar në Çernobil.

Por në ndërkohë një zyrtarë japonez deklaroi se rrjedhja e rrezatimit nuk është ndalur tërësisht dhe shqetësimi tani qëndron në faktin se rrezatimi mund të kalojë atë të Çernobilit.

Sot një tjetër tërmet i rëndë tronditi verilindjen e Japonisë. Epiqendra e tërmetit me një fuqi prej 6,3 ballësh gjendej pranë bregdetit të provincës fqinje Shiba bëri që të lëkunden shtëpitë edhe në kryeqytet.

Dje Japonia përkujtoi me minuta heshtjeje viktimat e tërmetit dhe të cunamit të para një muaji. Në katastrofë humbën jetën sipas përllogaritjeve të autoriteteve deri në 28 mijë vetë.