Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 11:40

Përgjimi i telefonatave të kryera mbrëmjen e 17 shtatorit mes anëtarëve dhe krerëve të Agimit të Artë, tregon se ata të gjithë ishin të përfshirë, me veprime ose me dijeninë e tyre, në vrasjen e këngëtarit Pavlos Fissas.

Sipas hetuesve, mbi 100 telefonata janë kryer atë natë, kur krerët e Agimit të Artë informonin njëri-tjetrin, nga poshtë-lart, sipas hierarkisë së parashikuar në statutin e partisë.

Pateli dhe Lagos kanë folur, para dhe pas vrasjes, plot 34 herë.

Për vrasjen njoftohet së pari kreu i degës lokale të partisë, Jorgos Pateli, i telefonohet deputetit Janis Lagos, deri sa më në fund, brenda 30 minutash, informacioni shkon tek kreu i partisë, Nikos Mihaloliakos.

40 minuta pas vrasjes, në ora 00:37, Mikaloliakos i dërgon deputetit Janis Lagos një sms, ku me sa duket kërkon një informacion më të detajuar, i cili i jepet vetëm pak sekonda më vonë

“E mbërthyem në bark, jo në zemër”, është thënë në njërën prej telefonatave të përgjuara, duke lënë të kuptohet se Pavlos Fissas u qëllua me thikë në bark, plagë e cila i shkaktoi vdekjen.

Telefonatat vazhdojnë me intensitet edhe të nesërmen, kur Jorgos Patelis, kreu i degës lokale të Nikeas (zona ku u vra këngëtari) i telefon Mihaloliakos 14 herë.

Ishin të shumtë ata që dinin çdo gjë në lidhje me vrasjen e Fissas. Gjithkush u përpoq të mbulonte gjurmët e veta. Mediat transmetojnë të transkriptuara telefonatat, ku protagonistët duken të frikësuar pas krimit dhe shprehen se rrezikojnë të “fundosen” apo të “shkatërrohen”.

Në gjykatë të arrestuarit e parë
Sot shkojnë në gjykatë të arrestuarit e parë të Agimit të Artë.

Pas dëshmisë së Jorgos Patelit dhe 2 policëve, pritet të deponojnë para hetuesve 4 deputetë të Agimit të Artë, Ilias Kasidiaris, Janis Lagos, Ilias Panajotaras dhe Nikos Mihos.

Kryetari i partisë Nikos Mihaloliakos do të deponojë nesër, ndërsa Kristos Papas të enjten.

Të arrestuarit akuzohen si krerë të organizatës kriminale. Prokuroria ka prova të forta që iu jep rol qendror 6 deputetëve në organizatën kriminale.

Samaras: Kam besim te drejtësia greke
Në një prononcim publik, kryeministri grek, Antonis Samaras, ka deklaruar vendosmërinë e qeverisë së tij për t’i shkuar deri në fund çështjes së Agimit të Artë.

Duke folur para këshillit amerikan të hebrenjve në SHBA ai tha se “Çështja e Agimit të Artë ka marrë rrugën e drejtësisë. Do të bëjmë gjithçka. Krerët e Agimit të Artë janë arrestuar për veprimtari kriminale dhe do të gjykohen në mënyrë demokratike. Kem besim te drejtësia greke që e filloi mbarë dhe do ta mbyllë në mënyrën më të mirë çështjen”, tha kryeministri.

Samaras sqaroi, se “është drejtësia dhe sistemi gjyqësor që po merret, jo qeveria”. Ai vuri në dukje se Greqia është një fenomen unikal në Europë sa i përket arrestimit të krerëve të Agimit të Artë, megjithëse edhe vende të tjera kanë probleme të ngjashme me organizata neonaziste.

Kryeministri shpjegoi para pjesëtarëve të komunitetit hebre se nazistë janë krerët e organizatës, jo votuesit e Agimit të Artë. Votuesit e tyre janë njerëz që janë goditur nga kriza ekonomike dhe nga niveli i lartë i papunësisë. Ai shprehu bindjen se populli grek ka konceptim politik dhe se do t’i izolojë neonazistët.

Ndërkaq Parlamenti ka filluar procedurat mbi prerjen e gjithë financimeve shtetërore për Agimin e Artë./bw/