Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 13:00

Paris-Prokuroria franceze lajmëroi nisjen e një hetimi paralel për fundosjen e kryqëzorit turistik në brigjet e një ishulli italian, aksident që i mori jetën 32 personave, midis të cilëve edhe gjashtë shtetasve francezë.

Në një komunikatë zyrtare, hetuesit informuan se do të marrin në pyetje të mbijetuarit, për të “përcaktuar rrethanat në të cilat ndodhi fundosja dhe procedurat e ndjekura pas shpalljes së evakuimit”.

Ishin 450 shtetas francezë në “Kosta Koncordia”, kur ajo u përplas me shkëmbinj nënujorë dhe u fundos në afërsi të ishullit të Xhilios, në datën 13 janar.

Hetimet e kryera nga autoritetet italiane fajësojnë kapitenin për një gabim njerëzor. Megjithatë, ekspertë të Rojes bregdetare franceze do të dërgohen në vendin e aksidentit, për të rishqyrtuar rrethanat.

Vendimi i Parisit erdhi pas ankesave të shumta të kryera nga të mbijetuarit francezë, për mënyrën se si u trajtuan pas lëshimit të alarmit të përgjithshëm dhe komunikimit të vendimit për të braktisur anijen.

Midis 32 të vdekurve, 17 trupa janë rikuperuar, ndërsa 15 të tjerë vazhdojnë të konsideruar zyrtarisht si të zhdukur. Në total, 4.200 persona ndodheshin në “Kosta Koncordia” në ditën e aksidentit.