Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 07:30

Romë- Kërkuesit italianë nxorrën trupat e dy grave nga anija turistike luksoze “Kosta Konkordia”, e cila më 13 janar ka ngecur në afërsi të brigjeve të Toskanës, ndërsa numri i viktimave arriti në 15 persona dhe 17 të tjerë llogariten të zhdukur.

Përfaqësuesit zyrtar gjatë fundjavës deklaruan se në momentin e fatkeqësisë ka pasur edhe mysafirë të paregjistruar në anije, që do të thotë se numri i të zhdukurve mund të jetë edhe më i madh.

Admirali Ilarion del’Ana sot kumtoi se pompimi i 2.300 tonë derivateve nga anija do të mund të fillojë që nesër, me qëllim që të evitohet katastrofa ekologjike, e cila mund të shkaktohet nëse fillon rrjedhja e derivateve.

Përfaqësuesit zyrtar vendosën që operacioni për gjurmimin e trupave dhe operacioni për pompimin e derivateve të bëhen njëkohësisht, duke konsideruar se anija nuk mund të fundoset plotësisht.

Në fatkeqësinë e anijes ka gjithsejt 67 të lënduar. Në momentin e fatkeqësisë, në anije ndodheshin 3.200 udhëtarë dhe 1.023 anëtarë të ekuipazhit.