Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 11:50

Koreja e Veriut është në prag të përfundimit të përgatitjeve për lëshimin e programuar të raketës-satelit më vonë gjatë javës, ka bërë të ditur një zyrtar i Penianit. Sateliti do të instalohet në raketën “Unha-3” më vonë gjatë ditës së martë, saktësoi zyrtari në një konferencë të rrallë për shtyp.

Zyrtari hodhi poshtë shqetësimet se lëshimi ishte një veprim për të mbuluar teknologjinë raketore, duke i cilësuar ato si “të pakuptimta”. Ndërkohë, tre kompani ajrore aziatike kanë bërë ndryshime të rrugëve të fluturimit për të shmangur raketën.

“Ne presim që të përfundojmë montimin ditën e sotme”, deklaroi Ryu Kum-chol, nëndrejtor i Departamentit të zhvillimeve hapësinore në Komitetin e Teknologjisë së Hapësirës.

Ai tha se lëshimi është programuar mes datave 12-16 prill. Koreja e Veriut deklaron se në këtë mënyrë do të shënojë 100-vjetorin e lindjes së liderit Kim Il Sung. Por opozitarët e këtij projekti deklarojnë se ai bie ndesh me rezolutat e OKB-së që janë vendosur pas lëshimit të një rakete të ngjashme në prill të vitit 2009. Rusia deklaroi se veprimet e Penianit tregojnë shpërfillje të rezolutave.

“Zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të kërkohet në rrugë politike dhe diplomatike”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Alexander Lukashevich, i cituar nga agjencia e lajmeve “RIA”.