Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 10:36

Kopenhagë – Nënpunësit doganor danez filluan sot të zbatojnë kontrolle kufitare më të rrepta edhe krahas paralajmërimeve të Komisionit Evropian se kjo është në kundërshtim me rregullat e Bashkimit Evropian, duke e përfshirë edhe marrëveshjen e Shengenit për lëvizje të lirë.

Në kufirin me Gjermaninë, kufi i vetëm tokësor i Danimarkës janë dërguar 30 doganierë shtesë, të cilët do të kryejnë kontrolle. Në pikën kufitare drejt Suedisë janë sistemuar 20 doganierë shtesë.

Autoritetet daneze kumtuan se udhëtarët e zakonshëm, mes të cilëve janë edhe turistët gjermanë të cilët shkojnë në pushin në Detin Verior, nuk do të preken nga kontrollimi.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Gido Vestervele, megjithatë paralajmëroi se kontrolli shtesë mund të shfaq parashenjë për mënyrën në të cilën në të ardhmen do të ndodhin punët në BE. Ai përmendi se megjithatë edhe gjatë kësaj mase të autoriteteve daneze, marrëdhëniet mes Berlinit dhe Kopenhagës nuk janë të prekura.

Danimarka, në afat të gjatë planifikon dyfish ta rrisë numrin e nënpunësve kufitar dhe të vendosë pajisje të re për hulumtim të kalimeve.

Kryeministri danez, Lars Loke Rasmusen i pranoi këto masa nën presion të Partisë së Djathtë Popullore, e cila ka 25 deputetë në Parlamentin 179 anëtarësh dhe e cila ka bashkëpunim të afërt me Qeverinë e kolaicionit liberalo-konservative, edhe pse nuk është pjesë e saj.

Përforcimi i kontrolleve kufitare mund të pezullohet, në rast se socialdemokratët opozitar arrijnë sukses të madh në zgjedhjet parlamentare të caktuara për në nëntor.