Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 08:41

Shkup – Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka zhvilluar takimin e radhës mbrëmë në Bruksel me homologun grek Jorgos Papandreu.

Shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshoski, e ka vlerësuar takimin si konstruktiv dhe në funksion të rritjes së besimit dhe afrimit të qëndrimeve për çështjen e hapur bilaterale.
“Ky është takimi i nëntë me radhë për një periudhë relative të shkurtër, prej një viti. U mbajt në atmosferë konstruktive dhe ajo që do ta nënvozoja është se ekziston disponim politik nga të dyja palët. Dialogu midis Maqedonisë dhe Greqisë për kontestin për emrin vazhdon edhe më tej. Konsiderojmë se kjo është mënyra më e mirë që përmes dialogut të rritet besimi dhe të mendohet njëkohësisht në çfarë mënyre të afrohen pozitat, e gjithçka me qëllim që të krijojmë kushte për ta zgjidhur këtë çështje të vetme bilaterale”, ka thënë ministri Miloshoski.

Ai nuk ka precizuar nëse në takim ka pasur zhvendosje dhe afrim të pozitave, duke përsëritur se te të dy palët ekziston vullnet politik për vazhdim të dialogut.

Kontesti bilateral mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin, ka qenë në fokus edhe të takimit që kryeministri Gruevski paraprakisht e ka pasur me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton. Në takimin 40-minutësh Gruevski-Eshton, u bisedua edhe për perspektivën evropiane të Maqedonisë, reformat të cilat i zbaton Qeveria, me theks të posaçëm në gjyqësi dhe administratë.

Zëdhënësja e saj ka thënë se kanë diskutuar për çështjet e hapura, një prej të cilave, siç ka pohuar ajo, ka qenë “edhe çështja e pazgjidhur e emrit”.

“Kapaciteti i vendit për të farkëtuar një dialog politik mbetet sigurisht një pikë thelbësore dhe që përmendet sistematikisht. Sidomos kur e dimë që ka vështirësi në lidhje me dialogun politik në parlament, midis opozitës dhe qeverisë”, ka thënë nga ana tjetër, Natasha Butler, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Pas takimit me Papandreun, Gruevski është takuar po dje edhe me Komisionerin për zgjerim Shtefan Fyle, me të cilin temat kryesore të bisedës pritet të jenë situata e bllokuar politike në vend, problemet me lirinë e medias, të gjitha këto e tema të tjera në kuadër të ecurisë së vendit në rrugën drejt BE-së. Është potencuar se nevojitet të ruhen kriteret politike nga të dy palët, se të gjithë aktorët kanë përgjegjësi për ngjarjet në skenën politike në ciklin parazgjedhor. (Lajmeshqip.com)