Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 08:05

Kinshasa – Të paktën 20 persona e humbën jetën gjatë rrëzimit të aeroplanit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Republikën Demokratike të Kongos. Fatkeqësia ndodhi në aeroportin Kinshasa në kryeqytetin e RD të Kongos.

Aeroplani u rrëzua derisa pilotët tentuan të aterojë në kushte të vështira nëpër shi dhe erë të fuqishme. Aeroplani pas rrëzimit u shkatërrua tërësisht, transmetuan mediat franceze.

Tetë nga të lënduarit janë hospitalizuar, por tani për tani gjendja e tyre shëndetësore nuk është e njohur.

Disa media kumtojnë informata të ndryshme për numrin e udhëtarëve në aeroplan, ashtu që sipas disa mediave në të ka pasur 28 udhëtarë, ndërsa sipas të tjerave 32 udhëtarë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.

Shkaqet për fatkeqësinë tani për tani nuk janë të njohura. Aeroplani ka qarkulluar në relacion nga qyteti Kisangani në pjesën verilindore të RD të Kongos deri në Kinshasa.

Misioni në këtë shtet në Afrikën qendrore është një ndër më të mëdhenjtë të KB-së në botë. RD e Kongos shtrihet në territor, i cili është pesë herë më i madh se Franca.