Lajme Shqip Monday, 27 February 2012 16:00

Stokholm – Instituti i Stokholmit për paqe “SIPRI” sot kumtoi se kompania “Martin Lokid”, me seli në SHBA, është shitësi më i madh i armëve në vitin 2010, me dërgesën e armëve dhe pajisjeve ushtarake në vlerë prej 35,75 miliardë dollarë, transmetojnë agjencitë.

Grupacioni paqësor hulumtues e publikoi analizën sipas të cilës në vitin 2010 është vërejtur rënie prej një për qind të shkallës së rritjes te 100-të prodhuesit më të mëdhenj të armatimit në botë, në krahasim me shitjen në vitin 2009 e cila ishte rritur për katër për qind dhe për më shumë se 10 për qind në vitin paraprak.

“Lokid-i” amerikan e ruajti pozitën e shitësit më të madh të armatimit, para “BAE-sistemit” britanik dhe “Boing”.

Suzan Xhekson, ekspert i SIPRI-t për çështjet e industrisë për armatim, deklaroi se tërheqja e trupave nga Iraku kontribuoi për rritjen më të vogël te kompanitë të cilat ofrojnë shërbime ushtarake. Ajo theksoi se kriza globale ekonomike nuk ka pasur pasoja të vazhdueshme mbi buxhetet ushtarake në vitin 2010.

Sipas listës së SIPRI-t për 10-të shitësit më të mëdhenj të armatimit që para dy viteve, “BAE – sistem” britanik ka dërguar pajisje ushtarake për 32,88 miliardë dollarë. Në pozitën e katërt ndodhej kompania amerikane “Nortrap graman” me shitje në vlerë prej 28,15 miliardë dollarë, ndërsa ndiqej nga kompania amerikane “Xheneral dajnamik” me shitje në vlerë prej 23.94 miliardë dollarë.