Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 10:08

Shkup – Gjykatat në Maqedoni mbeten të nemitura nga ana e rekomandimeve të Komitetit të Helsinkit dhe të Gjykatës ndërkombëtare për të drejtat e nejriut, me qëllim shmangien e masës së paraburgimit dhe që i njëjti të mos shfrytëzohet si dënim.

Në raportin e fundit të KH-së, madje janë analizuar tri raste, “Metastaza”, “Merimanga” dhe “Fallanga”. Në rastin e parë gati një vit në paraburgim janë tre persona. Në rastin e dytë, “Merimaga”, disa nga të akuzuarit janë në burgun e Shutkës, pothuajse pesë muaj në mesin e të cilëve edhe pronari i Televizionit A1 Velija Ramkovski, ndërsa për rastin “Fallanga”, paraburgimi ishte shqiptuar që në qershorin e vitit të kaluar dhe ende po zgjatë, dhe kjo pa sqarime apo analizë përkatëse gjyqësore.

Komiteti i Helsinkit, bile në raportin e fundit me shqetësime konstaton se të drejtat e njeriut janë shkelur, ndërsa gjithnjë e më shumë shohim raste, siç thuhet, “të motivuara politikisht”.
“Kemi procedura apo procese të motivuara politikisht, ku ndaj disa personave ka tendenca, apo qëllime që të shpallen fajtorë dhe t’u shqiptohen padi apo kualifikime konkrete për vepra të rënda penale”, ka thënë kryetari i KH-së Osman Kadriu.

Gjykata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si problem e ka theksuar edhe faktin se gjykatat e Shkupit nuk përgjigjen në masat alternative dhe e pamundur është të sigurohen të pandehurit.

KH, i shqetësuar nga instancat gjyqësore që në vend se të kenë parasysh drejtësinë e bëjnë të kundërtën, përmes proceseve të montuara, madje e keqpërdorin paraburgimin dhe, para së gjithash, të drejtat e njeriut.

Maqedonia, ndryshe veç ka qenë në tapet në Gjykatën e Strasburgut, e cila shkeli Konventën evropiane për të drejtat e njeriut duke i mbajtur në paraburgim të akuzuarit në rastin “Syri i gjarprit”.