Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 09:20

Romë – Komisariati i lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatë paralajmëroi se është e mundur që në Itali të arrijnë emigrantë sirian, të cilët po tentojnë të ikin nga dhuna e vendit të tyre, duke i bërë thirrje Romës të përgatisë qendrën e përkohshme në ishullin Lampeduza.

“Mbi një mijë qytetarë sirian tashmë kanë arritur në Libi, ndërsa të tjetër vazhdojnë të ikin në vende të tjera, si në Somali”, deklaroi në konferencën për shtyp në Romë, Laura Boldrini, zëdhënëse e zyrës së Komisariatit në Itali.

“Nuk mund të ballafaqohemi me rrjedhje të vazhdueshme të refugjatëve në brigjet italiane pa shpallur paraprakisht gjëndjen e jashtëzakonshme. Tani Qeveria duhet të bëjë të domosdoshmen që ta përgatisë Lampeduzën për arritjen e anijeve me emigrantë të rinj nga Libia”, shtoi ajo.

Lampeduza është derë kryesore drejt Bashkimit Evropian për emigrantët nga disa vende nga Afrika veriore, si Tunizia, Libia dhe Egjipti.

Në shtator të vitit të kaluar autoritetet italiane e mbyllën qendrën për qëndrim të përkohshëm në ishull, pasi ajo u përfshi në flakë nga emigrantë tunizian, të cilët protestonin për shkak të qëndrimit të gjatë atje.