Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 08:53

Damask – I dërguari i KB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan, e përfundoi vizitën e tij dyditëshe në Damask pa arritur marrëveshje për ndërprerjen e dhunës.

Misioni i Ananit madje u përputh me ofensivën e përforcuar të forcave siriane kundër provincës kryengritëse Idlib dhe bastioneve të tjera të opozitës, transmetuan mediat franceze.

Anan e braktisi Damaskun, pasi i prezantoi presidentit Bashar Asad një seri propozimesh konkrete për ndërprerjen e gjakderdhjes, dialogun dhe ndihmën humanitare. Gjatë asaj kohe, më saktë në dy ditët e fundit, në vend u vranë 150 persona.

“Gjendja është aq e keqe dhe e rrezikshme, sa që nuk mund të lejojmë që gjithçka të shkatërrohet”, tha Anan para gazetarëve në fund të vizitës së tij.

Ai, megjithatë, vërejti se mbetet optimist. Sipas tij, rruga e vetme drejt përparimit janë kompromiset dhe lëshimet.

“Vrasjet dhe vuajtjet, të kryera sot, duhet të ndërpriten, e më pas t’i jepet kohë zgjidhjes politike”, tha ai në Damask pas takimit të tij të dytë me presidentin sirian, Bashar Asad.

Agjencitë informojnë se Anan u ka bërë thirrje bashkësive religjioze siriane për durim dhe mirëkuptim të ndërsjelltë.

“Do të dëshiroja që sirianët të pajtohen dhe sërish të jetojnë në siguri, duke e përdorur pluralizmin politik”, nënvizoi diplomati.

Sipas tij, përgjegjës për kthimin e paqes dhe sigurisë në vend nuk janë vetëm qeveria dhe ndërmjetësit ndërkombëtar, por edhe vetë populli sirian.

Anan pas takimit të tij me politikanët lokal dhe biznesmenët, dhe përfaqësues të opozitës, konkludoi se të gjithë sirianët dëshirojnë shkurtim të shpejtë të konfliktit.

Pas Damaskut, Anan sot duhet të arrijë në Turqi, kumtuan përfaqësuesit turq. Në kuadër të vizitës, e cila duhet të përfundojë nesër, Anan për Sirinë do të bisedojë me përfaqësuesit zyrtar turq.

I dërguari i KB-së dhe Ligës Arabe, gjatë bisedës telefonike me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutogllu, kumtoi qëllimin e tij për ta vizituar Turqinë si pjesë të turneut të tij në vendet e rajonit. Në Turqi Anan do të bisedojë me kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan dhe me ministrin e Punëve të Jashtme.