Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 09:33

Bruksel – Operacioni ushtarak në Libi ishte i domosdoshëm për t’u parandaluar katastrofa humanitare, deklaroi sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton pas mbledhjes së Këshillit të NATO-s në Bruksel.

Ajo e konfirmoi vendimin që komanda e operacionit për zonën e ndaluar për fluturime mbi Libi t’i dorëzohet NATO-s.

Klinton theksoi se gjatë operacionit pesëditësh të koalicionit është arritur përparim i dukshëm në Libi.

“U parandalua masakra në Bengazi. Flota ajrore ushtarake dhe mbrojtja kundërajrore e Moamer Gadafit praktikisht u bënë të papërdorshme”, theksoi Klinton.

Ajo refuzoi të parashikojë se sa do të zgjasin veprimet ushtarake në Libi, por e përsëriti qëndrimin e presidentit Barak Obama se roli i armatës së SHBA-së do të jetë i kufizuar.

“SHBA-ja do ta vazhdojë rolin e vet në operacion, por ai nuk do të jetë kryesues. Ai do të jetë një lloj ndihme dhe mbështetje”, deklaroi paraprakisht zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni.