Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 01:16

Uashington – SHBA-ja dhe Kina edhe më tej kanë qëndrime të ndryshme lidhur me çështjen për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, deklaroi sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton pas përfundimit të raundit të tretë të dialogut vjetor strategjik e ekonomik, amerikano-kinez, në Uashington.

“Biseduam për të gjitha çështjet kontestuese dhe në mënyrë precize i shprehëm druajtjet tona. Që të ruhen marrëdhëniet, të cilat sillen në drejtim pozitiv, SHBA-ja dhe Kina duhet të jenë të ndershme në lidhje me mospajtimet e ndërsjella dhe fuqishëm e bindshëm të punojnë në tejkalimin e tyre”, theksoi Klinton.

Në deklaratën e saj, Klinton i kushtoi më shumë vëmendje aspekteve pozitive të marrëdhënieve bilaterale.

“Punojmë bashkë në zgjerimin e sferave, në të cilat bashkëpunojmë, por edhe për zvogëlimin e atyre për të cilat kemi mospajtime”, shtoi ajo.

Në kuadër të dialogut, siç theksoi Klinton, është biseduar për Iranin, Korenë e Veriut dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore.

“Vendet janë të pajtimit për rëndësinë e bashkëpunimit për Afganistanin, me qëllim që të sigurohet stabilitet politik dhe rimëkëmbja ekonomike e këtij vendi”, theksoi Klinton.

Ajo kumtoi për formimin e grupit të ri konsultativ amerikano-kinez për çështjet e rajonit Aziatiko-paqësor, ku sipas saj ekziston rreth i gjerë i interesave dhe sfidave të përbashkëta.

Për herë të parë në kuadër të dialogut bilateral, përfaqësues ushtarakë të SHBA-së dhe Kinës janë ulur bashkë, duke tentuar ta përmirësojnë mirëkuptimin e ndërsjellë, ta përforcojnë besimin dhe të shmangin mospajtime.