Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 16:14

Romë – Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, sot, në Romë deklaroi se lufta kundër Al Kaedës vazhdon edhe pse është vrarë lideri i saj, Osama bin Laden.

Klinton në Romë merr pjesë në takimin e Grupi ndërkombëtar i Kontaktit, ku diskutohet për financimin e kryengritësve libianë.

“Nuk duhet të harrojmë se lufta kundër Al Kaedës dhe anëtarëve të saj nuk ka përfunduar me një vdekje”, theksoi Klinton në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin italian të Punëve të Jashtme, Franko Fratinin.

“Vdekja e Bin Ladenit është goditje e rëndësishme strategjike për Al Kaedën. Ideologjia e saj e urrejtjes dhe dhunës refuzohet, siç shohim pas asaj çka po ndodh në Lindjen e Afërt dhe Afrikë. Vendosshmëria jonë është gjithnjë e më e madhe pas vdekjes së Bin Ladenit sepse e dimë që ajo do të ketë ndikim tek ata të cilët janë në fushë-betejë në Afganistan, theksoi sekretarja amerikane e Shtetit.

Klinton e përshkroi operacionin prej 38 minutave gjatë të cilit u vra Bin Ladeni.

“Vdekja e tij do ta bëjë vendin tonë dhe botën më të sigurtë. Ne jemi ndërtues, e jo shkatërrues”, tha Klinton.

Në Romë janë përforcuar masat e sigurimit për shkak të takimit të Grupit ndërkombëtar të Kontaktit në të cilin ndodhen përfaqësues të 22 vendeve si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

Klinton paralajmëroi se në takim do të hetohen mënyrat më efikase për ofrimin e ndihmës financiare dhe ndihmave të tjera për Këshillin kalimtar kombëtar të opozitës, lideri i të cilit, Mahmud Xhibrili gjithashtu ndodhet në Romë.

Shefi italian i diplomacisë, Franko Fratini theksoi se gjatë takimit me Hilarin Klinton bisedoi për rëndësinë e zgjidhjes politike në Libi, ndërsa gjithashtu e dënuan dhunën në Siri.