Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 11:05

Uashington – Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, deklaroi se ditët e Moamer Gadafit janë të numëruara, pas sukseseve të kryengritësve në fushën e betejës.

Klinton në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergej Lavror, i cili dje e përfundoi vizitën treditore në Uashington, theksoi se SHBA-ja do të bashkëpunojë me Rusinë për zgjidhje të problemit libian.

Rusia u përmbajt gjatë votimit në Këshillin e Sigurimit për rezolutën e Kombeve të Bashkuara, me të cilën u hap rruga për intervenim ushtarak në Libi, ndërsa, pastaj propozoi të ndërmjetësojë në gjetjen e zgjidhjes për konfliktin.

Klinton deklaroi se Gadafi ende nuk i ka plotësuar kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare që t’i kthejë ushtarët në kazerma dhe të largohet nga pushteti.

“Edhe pse as ne, as Rusia nuk mundemi ta përcaktojmë ditën dhe orën e saktë se kur Gadafi do ta braktis pushtetin, dakordohemi rreth asaj se ditët e tij janë të numëruara. Do të vazhdojë ngushtë të bashkëpunojë me aleatët e tanë ndërkombëtar, midis të cilëve edhe Rusinë rreth rritjes së presionit ndaj Gadafit dhe regjimit të tij”, theksoi Klinton.

Ajo tha se gjatë dy viteve të fundit janë bërë hapa të mëdha në zhvillimin e marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Rusisë dhe shtoi se tani detyrë e Uashingtonit dhe Moskës është ta ruajnë dinamikën e tanishme në këtë zhvillim.

Gjatë vizitës së Lavrovit në Uashington, SHBA-ja dhe Rusia nënshkruan më shumë marrëveshje, midis të cilave marrëveshje për hulumtim të ndikimeve radioaktive, për birësim të fëmijëve rusë nga qytetarë amerikanë dhe për lehtësim të regjimit të vizave midis dy vendeve.

Lavrov në Uashington u prit edhe nga presidenti amerikan, Barak Obama, me të cilin bisedoi për më shumë çështje, midis të cilave gjendjet në Liban, Iran, Siri dhe Jemen.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se në takim, Obama e ka përsëritur para Lavrovit mbështetjen për përpjekjet e Rusisë për gjetje të zgjidhjes politike midis regjimit të Gadafit dhe kryengritësve libianë.

Obama dhe Lavrov kanë biseduar edhe për programin bërthamor të Iranit, si dhe për rolin e bashkësisë ndërkombëtare në ndërprerjen e mëtejshme të dhunës dhe kryerjem e presionit për ndryshime politike në Siri dhe Jemen. Ata kanë diskutuar edhe për mënyrat e mundshme për kthimin e palestinezëve dhe izraelitëve në tryezën negociuese.