Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 09:43

Pragë – Për shkak të krizës së thellë financiare dhe ekonomike, Evropën, duke përfshirë edhe Çekinë, i pret një “dekadë e humbur”, shkruan presidenti çek Vacllav Klaus në botimin e sotëm të javores “Tiden”.

Klaus konsideron se një prej arsyeve për këtë është rregullimi i gabuar sistematik i Bashkimit Evropian ku, siç thotë, si edhe në komunizëm mbizotëron “diktati i politikës ndaj ekonomisë”.

Evropa, sipas Klausit, duhet të kalojë ndryshim të thellë, i cili do të jetë i ngjashëm me transformimin çek pas rënies së komunizmit, në të kundërtën do të gjendet në skajin e ekonomive botërore.

“Nëse duhet të jem pesimist racional, e jo optimist i tepruar, frikësohem se Evropën, bashkë me të edhe neve, na pret një ‘dekadë e humbur’ e ngjashme me atë që përjetoi Japonia në vitet 90-të”, thotë presidenti çek.

Krikituesi i përhershëm i BE-së shpjegon se dekada e fundit e BE-së Evropa e kaloi pa rritje ekonomike, me restriksione të përhershme dhe miratim të pakove për shpëtim, gjegjësisht se kjo ka qenë dekadë e shqetësimit social.

Sipas Klausit, i cili është euroskeptik i njohur, i cili për veten mendon se është eurorealist, arsyet për krizën aktuale nuk janë vetëm ekonomike.

“Civilizimi perëndimor krijoi model ekonomik dhe social në të cilin kërkesat e individëve, të grupeve të ndryshme të interesave dhe sociale dhe të shteteve janë të radhitura mbi performancat ekonomike të vendeve”, shkruan shefi i shtetit çek.

Në qoftë se Evropa dëshiron të qëndrojë në këmbë, sipas Klausit, duhet të ndryshojë nga rrënja.

“Të jemi të qartë, në Evropë duhet të zbatohet sa më shpejtë që është e mundur një transformim ose Evropa do të bëhet periferi e pjesës tjetër të botës, e cila në mënyrë dinamike lëviz”, konsideron Klaus.

Politikanët evropianë, sipas tij, nuk kuptojnë se Evropa është në “udhëkryq të fatit” dhe gabimisht mendojnë se drejt ndryshimit do t’i mjaftojnë intervenime të imëta kozmetike.

Klaus zgjidhjen e shikon në kthimin e politikës në Evropë, por madje nuk mendon në politikën e institucioneve të Unionit.

“Politika mund të jetë vetëm atje ku ka demokraci”, thotë Klaus, i cili shton se sipas tij për supozim politik dhe demokraci është populli. Ndërsa ai mendon se nuk ekziston popull evropian dhe nuk mund të ekzistojë.

Para dy viteve Klaus deklaroi se kriza ekonomike do të përfundojë vetëvetiu dhe se masat e shteteve do të luajnë “rol miniature”.

Zgjidhjen e krizës, atëherë Klaus e krahasoi me kurimin e gripit dhe ftohjes dhe përkujtoi se ka dinamikë të saj e cila nuk mund të ndërpritet ose likuidohet.