Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 07:30

Filipina lajmëroi të mërkurën se anija e saj më e madhe ushtarake ndodhet aktualisht e bllokuar nga dy luftanije kineze, në një zonë të diskutueshme territoriale në detin e Kinës Jugore.

Autoritetet e Manilës bënë me dije se luftanija “Gregorio del Pilar” ishte venë në lëvizje për të arrestuar disa peshkatarë kinezë, që në mënyrë të përsëritur shkelnin ujërat territoriale, por ata ishin të mbrojtur nga dy luftanije të flotës kineze.

Aktualisht, anijet janë vendosur përballë njëra-tjetrës, në pritje të urdhrave të mëtejshme, pranë ujërave të një ishulli me sovranitet të papërcaktuar ku përplasen pretendimet e të dy shteteve.

Sipas Filipinës, ata vetëm sa po ushtrojnë të drejtat e sovranitetit të tyre mbi zonë. Ministri i Jashtëm i Filipinës, Albert del Rosario është takuar me ambasadorin kinez Ma Keqing, me shpresën e gjetjes së një zgjidhje diplomatike, por sipas mediave vendase, ndërmjetësimi ka ngecur.

Ambasadorit iu parashtrua një notë proteste nga ana e qeverisë së Manilës në lidhje me incidentin, por Keqing u përgjigj se është Kina ajo që ka sovranitetin e ishujve, prandaj i kërkoi kryqëzorit filipinas që të largohet.

Të dy shtetet aziatike kanë pretendime të njëjta mbi disa ishuj të ndodhur në Detin e Kinës Jugore, ndërsa lufta diplomatike për këto zotërime është rritur ndjeshëm, pas disa shpimeve në det që kanë provuar se zona nënujore është e pasur me naftë dhe gaz natyror.