Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 09:05

Pasi u vendos heshtja në Kinë, ku në web nuk është e mundur të kryesh kërkime mbi argumentin, rënia në dëshpërim e liderit komunist Bo Xilai vazhdon të jetë objekt zbulimesh në shtypin perëndimor.

Prestigjiozja “New York Times”, duke konfirmuar zërat e shtypit të Hong Kongut, shkruan për arsyen e vërtetë të rënies së Bo, që ishte në momentet e ngritjes në karrierë.

Sipas gazetës, shkak për rrënimin e politikanit u bë zbulimi se kishte përgjuar bisedat telefonike të liderëve kinezë, mes të cilëve presidentin dhe njëkohësisht sekretarin e Partisë Komuniste, Hu Jintao.

Çështja e Xilai u komplikua tej mase, pas dyshimeve se ai vetë dhe bashkëshortja e tij, Gu Kailai, janë përfshirë në vdekjen e një biznesmeni britanik.

Skandali politik i Bo Xilai, i cili u shkarkua nga detyra në rangjet e larta të partisë, konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë të regjistruar në dekadat e fundit në Kinë.

Pas përjashtimit të tij, për shkelje serioze të disiplinës, kryeministri kinez Uen Jiabao bëri thirrje për masa më të forta kundër korrupsionit.