Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 15:37

Moskë – Përfaqësuesi i Rusisë në NATO, Dmitrij Rogozin vlerësoi sot se kërkesa masive e serbëve të Kosovës që Rusia t’iu japë shtetësinë dëshmon se ata, në pamundësi të marrjes së ndihmës nga të vetët, i janë drejtuar Rusisë si shpresa e fundit e tyre. “Në situatë të tillë, është e domosdoshme të kuptohet se ata njerëz janë të gatshëm të shpërngulen në vendin tonë”, deklaroi Rogozin për agjencinë ruse të lajmeve Interfaks, kurse transmeton Blici i Beogradit. Sipas Rogozinit, është e mundshme që serbët e Kosovës të kërkojnë të shpërngulen në Rusi në qoftë se “ekzsiton kërcënimi real për jetët e tyre dhe familjet e tyre’, transmeton Koha.

Ai shtoi se për Rusinë, e cila i ndjen shumë problemet e mëdha demografike, veçmas aty ku popullata është sllave – në lindje të Uralit, ardhja e serbëve do të paraqiste “begati”.

Rrogozin vlerësoi se ata mund të adaptohen lehtë në Rusi dhe se nuk do të duhej të kishin probleme me punësimin. 

“Serbët e Kosovës do të duhej të regjistrohen në programin e repatriacionit të rusëve. Serbët nuk janë të huaj për ne. Ky është popull i cili në Rusi mund të fitojë atdheun e vet të dytë dhe pikërisht për këtë them se programi i repatriacionit duhet të zbatohet”, tha Rogozin.

Përfaqësuesi i Rusisë në NATO është i bindur se partitë politike ruse që tashti mun d të marrin mbi vete ofrimin e ndihmës për shpërngulje dhe për vendosje të serbëve të Kosovës në rajonet ku ata janë të nevojshëm.

“Nuk mund ta marr parasysh të kundërtën – si do të mundte Rusia të refuzojë një kërkesë të tillë”, shtoi Rogozin.