Lajme Shqip Saturday, 04 August 2012 20:14

Prishtinë – Serbët e veriut të Kosovës dhe ata që jetojnë në jug të lumit Ibër, do të kenë qasje dhe kërkesa të ndryshme në adresë të kryetarit të ri të Serbisë, Tomislav Nikolic, nëse ky i fundit realizon takimin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilin e ka paralajmëruar.

Nikolic ditë më parë ka thënë se do të angazhohet për arritjen e një “konsensusi kombëtar” për Kosovën dhe për këtë qëllim do të bisedojë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Marko Jaksic, i cili aktualisht është edhe deputet opozitar në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike të Serbisë, thotë për “Radio Evropa e Lirë” se takimet e tilla janë të vonuara.

“Serbët, para së gjithash ata të veriut të Kosovës, do të kërkojnë nga kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili njëkohësisht është edhe komandant i Serbisë në kuptimin ushtarak dhe atë shtetëror, që në rast se vije deri tek eksodi i serbëve dhe në rast se policia e Hashim Thaçit ua mësynë serbëve të veriut të Kosovës, Republika e Serbisë të mos bëhet vëzhgues pasiv, por duhet t’i mbrojë serbët”, thotë Jaksic.

Kërkesa e dytë e serbëve të veriut, sipas tij, do të jetë që marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të anulohen, sepse , siç thotë ai, marrëveshjet e tilla janë në kundërshtim me ligjet ekzistuese të shtetit serb.

Krejtësisht ndryshe mendon politikania serbe nga Kosova qendrore, Rada Trajkovic, e cila njëkohësisht është deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe. Ajo thotë se serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër duhet të kërkojnë nga kryetari serb Nikolic që të mos e mbështesë retorikën e serbëve të veriut të Kosovës.

“Jam shumë e shqetësuar nëse retorika e serbëve të veriut do të mbështetet nga ana e udhëheqjes shtetërore të Serbisë. Populizmi dhe pafuqia për çfarëdo kompromisi çon vetëm drejt një zgjidhjeje: ose veriu i Kosovës të jetë në Serbi ose fatkeqësisht, të vije deri te diçka që do të ishte katastrofë për të gjithë ne, e kjo është mundësia për një ‘Stuhi’ të re”, thekson Trajkovic. “Unë nuk e di nëse Beogradi ka dijeni dhe ka përgjegjësi për serbët e Kroacisë, të cilët pas aksionit ‘Stuhia’ kanë ardhur në veri të Kosovës. Nuk e di se a e kuptojnë se përkrahja e logjikës përjashtuese shpie drejt skenarit të njëjtë në veri. Prandaj, sikur unë të shkoja për të biseduar me Nikolicin, do t’i thosha se nuk bën mënyra ‘ose-ose’, por që të gjejmë një kompromis. Unë gjithmonë kam apeluar për një kompromis me shqiptarët, e që nuk i nënkupton kufijtë”.

Jaksic thotë se një numër i serbëve që jetojnë në Kosovën qendrore, kanë mëkatuar dhe kanë shkelur Kushtetutën e Serbisë, duke u bërë pjesë e institucioneve të Kosovës. “Mendoj se kryetari i ri duhet ta sqarojë nëse serbët që jetojnë në Kosovën qendrore dhe që janë pjesëmarrës në institucionet e Kosovës, janë edhe pjesë e politikës së përbashkët shtetërore dhe kombëtare serbe”, shprehet Jaksic.

Por, Trajkovic shpreh mendimin se Beogradi zyrtar duhet t’i shikojë përvojat e deritashme dhe të jetë i kujdesshëm që të ruajë numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë.(LajmeShqip.com)