Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 07:47

Kriza ekonomike dhe shtimi i fjalimeve ksenofobike në media e publik, po kërcënon seriozisht Evropën, e në veçanti, Bashkimin Evropian.

Kështu vlerëson instituti ngritur nga Komisioni Evropian kundër racizmit dhe intolerancës, ECRI në raporton vjetor të publikuar së fundmi.

“Në Evropë po rritet racizmi dhe fryma e intolerancës ndaj të huajve, ndihmuar sa nga kriza ekonomike, ashtu dhe nga fjalimet e shtuara ksenofobike të personave publikë, e në veçanti të politikanëve. Vendet evropiane kanë ende për të mësuar përsa i përket diversitetit dhe respektimit të të huajve, përndryshe rrezikojmë të humbasim kontributin ekonomik që ofrojnë të huajt në Evropë”, thuhet në raportin ECRI-t.

Vendet e Bashkimit Evropian po kalojnë ditë të vështira, me Greqinë, Spanjën, Portugalinë, Irlandën e Italinë në vështirësi financiare e të detyruara në ndërmarrjen e masave shtrënguese ekstreme për uljen e borxhit publik.

Kriza ka ndikuar në ashpërsimin e gjuhës raciste kundër të huajve, të cilët, kryesisht nga forcat e ekstremit të djathtë, shihen si fajtorë kryesorë për papunësinë dhe kriminalitetit në rritje. Ajo që shqetëson KE-në, është se këto forca, ndërsa para krizës përfaqësoheshin nga një numër i kufizuar mbështetësish, tashmë po rriten në mënyrë drastike.

Kjo vërtetohet nga zgjedhjet e fundit në Francë, ku kandidatja e ekstremit të djathtë, Marie Le Penn, e cila zhvilloi një fushatë elektorale me gjuhë anti-Bashkimit Europian e sidomos kundër të huajve, siguroi afërsisht 20 përqind të elektoratit në raundin e parë, në Holandë ekstremi i djathtë është shndërruar në faktor përcaktues në qeverisje, pasi dy partitë kryesore s’mund të formojnë qeverinë pa deputetët e Geert Wilders, ndërsa sondazhet flasin për rritje të frikshme të ekstremistëve në Greqi në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen këtë të djelë.