Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 11:10

Astanë – Moti i ftohtë i paparë e ka paralizuar Kazakistanin, ku në disa vende temperatura e ajrit ka rënë nën minus 40 gradë. Mediat kumtuan se një djalë 21-vjeçar kishte ngrirë në shkëmbinjtë në rajonin perëndimor të Atirausit.

Ndërkohë mediat ruse ka në transmetuar se sinoptikët parashikojnë që i ftohti do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Ndërsa sot është paralajmëruar për stuhi në 16 rajone të Kazakistanit.

Natën e kaluar në tre rajone janë regjistruar temperatura prej rreth minus 40-45 gradë. Deri në fund të javës moti i ftohtë në Kazakistanin verior do të qëndrojë në rreth minus 43 gradë, parashikojnë meteorologët. Në mënyrë drastike kanë rënë edhe temperaturat në Kazakistanin jugor, që tashmë arritën deri 30-35 gradë nën zero.

Reshjet e mëdha të borës në disa rajone malore po e rrisin shtresën e lartë të borës, si dhe rrezikun nga orteqet. Tashmë prej disa ditësh në disa rajone nuk mbahet as mësim në shkollat e mesme. Lëvizja nëpër rrugë në katër rajonet është kufizuar.

Ekipet shpëtimtare vazhdimisht gjurmojnë pas automjeteve të ngujuara në borë. Vetëm në 24 orët e fundit nën shtresat e borës janë zbuluar dhe shpëtuar 30 persona.