Lajme Shqip Friday, 26 October 2012 17:04

Beograd – Nëse në fillim të dhjetorit vazhdon dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nëse shënohet një përparim për çështjet tjera teknike, si telekomunikacioni dhe energjetika, Këshilli i Evropës deri në fund të vitit do të caktojë “datën e kushtëzuar” për fillimin e bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në bashkimin Evropian. Sipas burimeve diplomatike në Washington dhe Bruksel, kjo është porosia që kreut shtetëror serb do t’ia dërgojnë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, dhe përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së, Catherine Ashton, të cilat javën e ardhshme arrijnë në Beograd.

“Data e kushtëzuar” në të vërtetë do të ishte formulimi se “Serbia do të fillojë negociatat kur ajo i plotëson kriteret kyçe” në procesin e integrimit evropian. Sipas burimeve të ditores “Veçernji Novosti”, Clinton dhe Ashton nuk do të dorëzojnë kërkesa të reja për Kosovën, por do të vijnë për të inkurajuar rinisjen e dialogut dhe për të përsëritur atë se çka pritet nga Serbia në lidhje me Kosovën.

“V. Novosti” duke u thirrur në burime të veta citon listën e veprimeve që priten nga Serbia:
– Zbatimi i plotë i marrëveshjes për menaxhim e integruar të pikëkalimeve kufitare.
– Tërheqja e Beogradit nga strukturat e sigurisë dhe të drejtësisë në veri të Kosovës
– Vazhdimi i dialogut dhe ngritja e bisedimeve në nivel politik, pa cenuar statusin e Kosovës
– Gjetja e zgjidhjeve për sektorët e telekomunikacionit dhe energjisë.

Clinton dhe Ashton me palën serbe do të qartësojnë listën e temave dhe datën e saktë kur të dy palët do të ulen në Bruksel. Ky takim mund të nisë në fillim të nëntorit.
Sipas burimeve në Qeverinë e Serbisë, politikanët serbë duhet të finalizojnë tekstin e platformës, i cili në rast të vërejtjeve të shtruara nga Ashton dhe Clinton, do të mund të korrigjohej, “por duke respektuar linjat e kuqe të Serbisë”.

Sekretarja amerikane e Shtetit do të vizitojë Beogradin të mërkurën, më 31 tetor, si pjesë e turneut të saj ballkanik. Për vizitën e Sekretares Clinton, policia serbe do të jetë në gjendje gatishmëria, ndërsa disa mijëra policë do të kujdesen për sigurinë e saj. Tash për tash është planifikuar që dyshja euro-amerikane do të bisedojë me presidentin e Serbisë Tomislav Nikolic, dhe kryeministrin serb Ivica Daçiq.

Analisti serb, Ognjen Pribiqeviq, thotë se është “paksa e çuditshme” sesi Clinton vjen në Serbi vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale amerikane. Për administratën amerikane është me rëndësi që ajo të përmbushë pavarësinë e Kosovës, ndaj dëshirojnë të jenë të bindur që Beogradi dhe Prishtina do të bashkëpunojnë, shkruan kjo gazetë. (K.D)