Lajme Shqip Saturday, 18 August 2012 19:20

Hagë – Ish-lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç kërkon që presidenti grek Karolos Papulias të dëshmojë në gjyqin e tij në Hagë. 

“Kemi arsye të mira për të besuar se Presidenti grek Papulias ka informacione që mund të mbështesin të vërtetën”, thuhet në dokumentin, që iu paraqit gjykatës nga mbrojtja e Karaxhiç. 

Mbrojtja e ish-liderit politik të serbëve të Bosnjes kërkon që presidenti grek Papulias të dëshmojë në gjykatën ndërkombëtare të Hagës më 26 mars, 2013. 

“Për shkak të lidhjeve fetare dhe historike midis Greqisë dhe Serbisë, presidenti Papulias ka qenë një nga pak bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, me të cilin serbët e Bosnjës mund të flisnin me besim absolut”, thotë teksti i mbrojtjes së Radovan Karaxhiç. 

Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës beson se dëshmia e Presidentit të Greqisë do të ndihmojë për të provuar pafajësinë e tij në rastin e bombardimit të tregut në Sarajevë më 5 shkurt 1994, si pasojë e të cilit u vranë 67 njerëz. 

Radovan Karaxhiç akuzohet për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në Bosnje, ku u vranë 100 000 njerëz dhe 2.2 milion u zhvendosën. (LajmeShqip.com)