Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 09:30

Karaçi – Një diplomat saudit është vrarë sot në Karaçi, ku automobili në të cilin ndodhej është sulmuar nga persona të armatosur në mtoçikleta, kumtoi përfaqësuesi policor.

Katër persona me motoçikleta hapën zjarr nga të dy anët e automobilit, deklaroi përfaqësuesi i policisë dhe tha se sauditi i vrarë ka qenë pas timonit të automobilit dhe me siguri ka qenë duke u kthyer në shtëpi nga konsullata.

“E dënojmë sulmin. Ai i cili kryen sulme të ndryshme nuk mund të jetë mysliman”, deklaroi ambasadori saudit në Pakistan, Abdula Aziz al Gadir.

Gadir nuk e përmendi emrin, as funksionin e diplomatit të vrarë.

Sulmi është kryer dy ditë pasi që sulmues të paidentifikuar hodhën dy bomba dore ndaj konsullit saudit në Karaçi, në jug të Pakistanit. Në atë sulm nuk kishte viktima.

Al Kaeda e konsideron qeverinë saudite për armik dhe shprehu hakmarrje për vrasjen e lideri të vet, Osama bin Laden.