Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 14:09

Shkup – Ministria e Punëve të Brendshme parashtroi padi penale kundër personave A.A.(24) nga Shkupi, T.A.(31) nga Shtipi, L.A.(21) nga Tetova dhe G.F.(21) nga Prilepi të dyshuar për “bërjen, furnizimin ose tjetërsimin e mjeteve për falsifikim” dhe për “përpunimin dhe përdorimin e kartelës së rreme pagesore”.

Siç njofton zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, grupi katëranëtarësh ka përpunuar pajisje për incizim, gjegjësisht vjedhje të të dhënave personale nga kartelat kreditore, i kanë futur në kartela kreditore blanko dhe me kartelat e falsifikuara kanë marrë para nga bankomatët në më shumë qytete në vend.

“Grupi ka arritur të vjedh të dhëna personale nga 83 kartela kreditore, 15 prej tyre i ka përdorur dhe në 23 transaksione të bëra në Shkup, Prilep dhe Gostivar ka vjedhur rreth 500.000 denarë”, deklaroi sot Kotevski pas hapjes së ekspozitës së pllakateve nga fushatat kundër tregtisë me njerëz.

MPB, siç tha, për herë të parë zbulon punëtori ku përpunohen këto pajisje të cilat shërbejnë për vjedhjen e të dhënave personale nga kartelat kreditore.

“Punëtoria është zbuluar në Tetovë dhe për dallim nga rastet paraprake kur pajisjet janë furnizuar nga Bullgaria, kësaj radhe janë përpunuar në Maqedoni”, shtoi Koteski.

Personat dje kanë dalë para Gjykatësit hetues, i cili u ka përcaktuar masë arresti prej 30 ditësh.