Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 13:21

Shkup – Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Musa Xhaferi dhe Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Abdylkadër Memedi kanë qëndruar për vizitë në SHBA, ku morën pjesë në Forumin e biznesit Amerikano-Ballkanik që u realizua në qytetin Baltimor.

Përveç pjesëmarrjes në Samitin në Baltimor, ata kanë realizuar takime me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Departamentin e Shtetit, Këshillin e lartë të sigurisë, kongresmenë, etj.

Siç ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme, ministri Xhaferi dhe sekretari shtetëror në MPJ, Memedi janë takuar Tomas Kantriman, ndihmës i Sekretarit të Shtetit, me ç’rast biseduan për situatën në Maqedoni dhe rajon.

Kantriman ka përshëndetur rolin konstruktiv të BDI-së dhe faktorit shqiptar në Maqedoni, duke shprehur interesim të posaçëm për statusin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe përgatitjet për kremtimin e 10-vjetorit nga Marrëveshja e Ohrit.

Ai, në lidhje me situatën e krijuar politike në Maqedoni dhe në bisedat për zgjedhjet e parakohshme, potencoi se opozita në Maqedoni e ka të qartë dhe e di mirë se cili është qëndrimi i SHBA-së në lidhje me bojkotin dhe se veprim i tillë nuk është i përshendetur dhe përkrahur në veprimin demokratik. Nga ana tjetër, Kantriman ripërsëriti se liria e të shprehurit të lirë dhe pavarësia e mediumeve mbetet një nga vlerat kryesore të shoqërive demokratike.

Në suaza të vizitës në SHBA, Xhaferi dhe Memedi kanë realizuar takim pune me edhe me Kongresmenin demokrat Eliot L. Engel, i njohur si lobist i madh i çështjes shqiptare në SHBA. Kongresmeni Engel përsëriti se elementi shqiptar është faktor stabiliteti në Ballkan dhe ai do të vazhdojë të perkrahë edhe me tutje faktorin shqiptar.

Xhaferi dhe Memedi kanë ftuar Kongresmenin Engel të marrë pjesë në kremtimin e 10-vjetorit nga Marrëveshja e Ohrit, derisa kongresmeni amerikan potencoi se është i gëzuar për ftesën dhe se me siguri do të merr pjesë në kremtimet e Marrëveshjes së Ohrit, ku do të ketë mundësi të informohet më hollësisht për proceset politike, si dhe ndikimin pozitiv që ka bërë implementimi i Marrëevshjes së Ohrit në avancimin e proceseve demokratike dhe reformuese, si në Maqedoni ashtu edhe në rajon. Madje, gjatë qëndrimit në SHBA, Xhaferri dhe Memedi u takuan edhe me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), Ilir Rusi dhe Avni Mustafaj. Ata kanë shprehur interesimin e tyre mbi aktivitetet e BDI-së, posaçërisht përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni dhe nënvizuan se do t’i marrin të gjitha masat për kyçjen e diasporës shqiptare nga Maqedonia në zgjdhjet e parakohshme, që pritet të mbahen.

Të dy palët shprehën gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit midis diasporës shqiptare në SHBA dhe shqiptarëve në Maqedoni për të përforcuar politikat demokratike me qëllim që të kemi arritje të progresit shoqëror, vazhdimësi të reformave dhe ndryshimeve pozitive politike. (Lajmeshqip.com)