Lajme Shqip Tuesday, 09 October 2012 13:21

Athinë (PLOTESUAR 9 TETOR, 16:00)- Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha sot se Greqia ka mbuluar shumicën e pjesëve që kanë nevojë për shërim, gjatë vizitës së saj në Athinë, e cila është pritur me protesta masive.

Gjatë vizitës së saj gjashtë orëshe në Greqi, Merkel tha se shpreson që Greqia do të vazhdojë të qëndrojë në grupin prej 17 vendeve anëtare të eurozonës, por tha se qeveria në Athinë duhet ende të shtyjë përpara reformat e shkurtimeve. Kjo është vizita e saj e parë që nga fillimi i krizës në eurozonë, e që e kaploi këtë vend para tre vjetësh.

Policia greke ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, të cilët gjuanin gurë dhe bombola gazi në qendër të Athinës, vetëm disa qindra metra larg vendit ku po zhvillohej takimi ndërmjet kancelares Merkel me kryeministrin grek, Antonis Samaras.

Më shumë se 7000 policë janë vendosur në Athinë për t’i parandaluar trazirat gjatë vizitës së Merkelit, ndërkohë që rreth 50 mjë grekë raportohet se janë mbledhur në protestën masive, më të madhen në muajt e fundit, për ta kundërshtuar vizitën e kancelares gjermane dhe masat e shtrëngimit që janë përkrahur nga qeveria e saj.(LajmeShqip.com)

****************************************

Athinë – Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka arritur në Greqi, në vizitën e saj të parë që nga fillimi i krizës në eurozonë, e që e kaploi këtë vend para tre vjetësh.

Më shumë se 7000 policë janë vendosur në Athinë për t’i parandaluar trazirat e mundshme gjatë vizitës gjashtë orëshe të Merkelit, gjatë se cilës ajo pritet të zhvillojë bisedime për krizën me kryeministrin e vendit, Antonis Samaras.

Gjatë ditës së djeshme, me mijëra njerëz protestuan në Athinë për ta kundërshtuar vizitën e Merkelit dhe masat e shtrëngimit që janë përkrahur nga qeveria e saj. Shumë grekë e fajësojnë kancelaren gjermane që ka detyruar Greqinë që t’i zbatojë reformat e vështira, në këmbim të paketave ndërkombëtare të ndihmës, për ta evituar falimentimin. (LajmeShqip.com)