Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 09:32

Londër – Kryeministri i Britanisë së Madhe, Dejvid Kameron, deklaroi se u përpoq “deri në fund” për arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës së borxheve në Evropë, por u detyrua të vendoste veton për të mirën e interesave kombëtare.

Në një fjalim në parlament gjatë ditës së djeshme pasdite, kryeministri argumentoi se kërkesat e tij për disa modifikime të planit franko-gjerman u bënë në “mirëbesim”, ndërsa i cilësoi pretendimet e tij si “modeste, të arsyeshme dhe të rëndësishme”.

Kameron shpjegoi përpara anëtarëve të tjerë të kabinetit dhe deputetëve se vendosi veton kundër, pasi sipas tij, plani i ri për shpëtimin e euros nuk parashikon masa “të mjaftueshme” për të rregulluar çështjet financiare.

Pas nxjerrjes së Britanisë nga marrëveshja për ndryshime në marrëveshjen themelore të BE-së, Kameron është vendosur nën kritika të ashpra nga lideri i liberalëve në opozitë, Nik Kleg, si dhe nga liderë të tjerë evropianë, me presidentin e Francës, Nikolas Sarkozi, që ka përdorur tonet më të ashpra.

Kameron u tregua i kujdesshëm që t’i kërkonte përfaqësuesve të qeverisë që të interpretojnë veton e tij ashtu siç është. “Ne nuk e kemi nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian. Përkundrazi! Londra do të vazhdojë të punojë për të forcuar shëndetin e përbashkët të Evropës dhe euros, pasi në këtë luftë kundër borxheve, jemi të gjithë në të njëjtën barkë”, theksoi Kameron.

Anglia do të angazhohet në “bashkëpunim konstruktiv” me vendet e tjera të BE-së, lajmëroi kryeministria e ndodhur në “Downing Street”, përpara se Dejvid Kameron të shpjegonte veton e tij kundër traktatit të BE-së në Parlament.

Në samitin thelbësor për të ardhmen e euros, mbajtur gjatë javës së shkuar, Kameron zgjodhi të mos përkrahte planin franko-gjerman, duke votuar kundër tij. Si rrjedhojë, Sarkozi-Merkel duket se do të miratojnë një plan që do të përfshijë të gjithë vendet e tjera të BE-së, pasi edhe Hungaria, Suedia e Çekia, vendet më skeptike, kanë hequr dorë nga qëndrimi i tyre i kundërt fillestar.

Vendimi i Kryeministrit Kameron, ndonëse ka gjetur përkrahje në shumicën e anglezëve, sipas sondazheve të kryera nga shtypi, është shoqëruar me kritika të forta nga ana e opozitës, e cila akuzon për “izolocianizëm” dhe për lënien e Britanisë të vetme në përballimin e krizës financiare.

I përballur me kritika të shumta, “Downing Street” lëshoi një deklaratë gjatë të hënës, në të cilën shpjegonte se mosmiratimi i ndryshimeve të Traktatit të Lisbonës për Evropën nuk do të thotë se “bashkëpunimi i ngushtë dhe i gjithanshëm me vendet e Evropës do të pakësohet. Ne jemi po aq të angazhuar sa të gjithë shtetet e tjera në zgjidhjen e krizës së eurozonës, çka do të ishte në të mirë të të gjithë”, lexohej në deklaratën zyrtare.

Nga ana e tij, Kameron shprehi të njëjtin qëndrim orë më pas në një fjalim në parlament. Ndonëse marrëveshja franko-gjermane është cilësuar si “zgjidhja e vetme” për Evropën, plani nuk ka gjetur mbështetje të gjerë edhe në dy superfuqitë që e përpiluan atë.

Të hënën, kandidati për president i socialistëve në Francë, Fransoa Holand, u shpreh se “ky pakt duhet rishikuar” dhe se kjo do të jetë gjëja e parë që do të bëjë ai nëse do të fitojë në zgjedhjet e majit.

Plani Sarkozi-Merkel është bazuar në sanksione për vendet që do të abuzojnë me financat e tyre, sanksione që mund të shkojnë deri në dorëzimin e sovranitetit ekonomik, duke i dorëzuar planin buxhetor të një shteti për përpilim Bashkimit Evropian.