Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 14:50

Pragë – Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jellko Kacin për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se akoma është herët që vendi të merret me çështjen e statusit të saj në BE dhe se Serbia duhet t’i përkushtohet plotësimit të kushteve të cilat do ta çojnë drejt anëtarësimit në BE. 

Lidhur me deklaratat më të reja të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez Nikolla Sarkozi se do të vijë deri te reformat strukturore për procedurën e integrimit të vendeve ballkanike në BE, Kacin thotë se fillimisht duhet të hyhet në BE, ndërsa më pas të vendos për atë se sa shpejtë shteti brenda Unionit do të zhvillohet drejt qëllimeve të tjera të cilat do të vendosen. Ato qëllime, sipas tij, janë grupi i Shengenit, që do të thotë ndërprerje e kontrolleve policore në kufijtë dhe grupin evropian.

Lidhur me pritjet e Serbisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetor, Kacin shton se në momentet e vështirësive financiare Serbia do ta shfrytëzojë momentin.

“Unë shpresoj se në këtë periudhë kur BE-ja merret me problemin e euros dhe vështirësitë financiare të Greqisë dhe Italisë, Serbia ndërsa edhe Mali i Zi do ta shfrytëzojnë qetësinë dhe në ndërkohë do t’i befasojnë të gjitha shtetet anëtare me lajme pozitive dhe ambicie të mëdha”, deklaroi Kacin.

Europarlamentari vlerëson se çështja për atë nëse Serbia do të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor varet vetëm nga progresi i Serbisë, dhe gjithçka lidhur me këtë është në duart e Beogradit.