Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 17:06

Shkup – Bashkimi Evropian (BE), shpreh shqetësimet për lirinë e mediave në Maqedoni, ndërsa përmes nënkryetarit të Delegacionit për Evropën Juglindore, Jellko Kacin ka paralajmëruar seminar lidhur me këtë temë.

“Çdo qeveri e re e sapoformuar ka 100 ditë të qeta kur duhet t’i jepet mundësi të fillojë ose të përfundojë ndonjë reformë. Qeveria e re e mandatarit Nikolla Gruevski do të shikohet më vëmendjen më të madhe, pasi që në masë të madhe lista e anëtarëve të kabinetit të ri qeveritar përputhet me ata në largim dhe e cila edhe mban përgjegjësi për periudhën e kaluar”, ka thënë Jellko Kacin. Ai ka vlerësuar se në Maqedoni po ngulfatet liria e medieve, me çka edhe cenohet gjendja e funksionimit të një demokracie të hapur.

“Mediat e pavarura dhe profesionale janë të domosdoshme që të ruhet demokracia në një shtet juridik. Kryesimi hungarez me BE-në ka përdëftuar se vendi që nuk shqetësohet për lirinë e medieve, bart pasojat për veprimet e saja edhe nëse është anëtare e BE-së. Shkaku i saj, trendi i ngulfatjes së mediave nuk guxon të vazhdojë në mandatin e kësaj qeverie”, ka thënë Kacin.