Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 08:58

Kabul – Tetë persona e humbën jetën, nga të cilët shumica policë afganë sot në mëngjes në sulmin ndaj Këshillit britanik në Kabul, kumtoi Ministria afgane e Punëve të Brendshme.

Dy vetëvrasës me bombë sot në mëngjes e sulmuan Këshillin britanik në Kabul, ndërsa një përfaqësues i Ambasadës britanike konfirmoi se ka pasur sulm ndaj ndërtesës në pjesën perëndimore të kryeqytetit të Afganistanit.

Dy shpërthime në orën 5 e 45 minuta sipas kohës lokale në Ditën e pavarësisë së Afganistanit, kur shënohet fitorja e pavarësisë nga Britania e Madhe në vitin 1919.

Një përfaqësues i policisë kumtoi se njëri nga sulmuesit ka aktivizuar automobilin bombë para ndërtesës së Këshillit britanik.

Policia më vonë informoi se njëri nga sulmuesit arriti të hyjë në territorin e kompleksit dhe filloi këmbim-zjarrin me ushtarët afganë, që zgjati disa orë pas shpërthimit të parë. Në vendin e sulmit janë dërguar ushtarë britanikë dhe afganë të përgatitur për sulm.

Zëdhënësi i MPB-së afgane, Sidik Sidiki deklaroi se njëri nga sulmuesit vazhdon të rezistojë. Një kohë të shkurtë pas pushimit,  të shtënat janë ripërtërirë.

Zëdhënësi i talebanëve Zabiula Muxhadid e mori përgjegjësinë për sulmin.