Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 19:27

Kabul – Përleshjet e armatosura në Kabul dhe në tri provinca fqinje përfunduan sot , pasi forcat afgane dhe të koalicionit, me mbështetjen e helikopterëve, i shtynë kryengritësit talebanë të dorëzohen pas luftimeve 18-orëshe në të cilat humbën jetën 47 persona.

Ministri afgan i Punëve të Brendshme, Bismilah Mohamadi deklaroi se janë vrarë 47 njerëz, prej të cilëve 36 kryengritës, tetë pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë dhe tre civilë, ndërsa janë lënduar 40 persona, prej të cilëve 25 civilë.

Përgjegjësinë për sulmet e ndërmorën talebanët, duke theksuar se paraqet fillimin e ofensivës pranverore e cila është përgatitur më shumë muaj dhe se në to janë angazhuar një numër i madh i vetëvrasësve me bomba.

Një përfaqësues i lartë afgan deklaroi se një prej ekstremistëve të arrestuar u ka pranuar autoriteteve në Kabul se “Al Kaeda, bashkë me rrjetin ekstremist Hakani, qëndron pas sulmeve”.

Një sërë sulmesh janë kryer në pjesën e Kabulit ku ndodhen një numër i madh i ambasadave, si dhe në disa provinca lindore.

Zëdhënësi i talebanëve Zabihulal Muxhahid, paraprakisht theksoi se këto sulme janë hakmarrje për shkak të ndezjes së Kuranit në bazën e NATO-s, vrasjes së 17 civilëve afganë, për të cilën gjë akuzohet një ushtar amerikan, dhe video xhirimet në të cilat shfaqet se si ushtarët amerikanë urinojnë mbi trupat e vdekur të talebanëve.

Dhunën e djeshme në Afganistan ashpër e dënuan përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kethrin Eshton dhe shefi i diplomacisë britanike, Uiliam Hejg. (LajmeShqip.com)